Kujdes kur aplikoni për viza pune online, dikush mund të marrë kredi me dokumentet tuaja

E publikuar: 24/10/2019 17:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nevoja për një vizë punë jashtë vendit, po i çon kosovarët deri te rreziku i pamenduar. Kjo pasi papunësinë e tyre, dikush po e shfrytëzon për të përfituar për vete, madje jo pak. Kështu kanë vepruar dy të rinj të cilëve policia u ka rënë në gjurmë për mashtrim të qytetarëve.

Përmes faqes online, MerrJep, kishin mashtruar qytetarët se do t’u ndihmonin për të rregulluar dokumentet e nevojshme për një vizë punë drejt shteteve të Evropës.

Krejt ajo çka duhej të bënin qytetarët e interesuar për vizë pune ishte që t’ua dërgonin dokumentet personale personave që “rregullonin” këto punë.

Në këtë mënyrë, të dhënat personale të qytetarëve po përdoreshin për një qëllim krejt tjetër.

Mbi 20 qytetarë kanë rënë pre e mashtrimit të dy të rinjve, A.E. 24-vjeçar dhe K.G. 25-vjeçar. Ata po i përdornin të dhënat personale të cilat qytetarët ua dërgonin për të aplikuar për vizë.

Me këto të dhëna, këta dy të rinj kanë aplikuar për kredi nëpër institucione financiare në të cilat mund të aplikosh online.

Express mëson se krejt kjo është zbuluar pasi institucioni financiar ka telefonuar njërin prej qytetarëve për t’i thënë se nuk mund t’i aprovohet kredia, për shkak se ka kredi edhe në një bankë tjetër. Pas kësaj, ai e ka kuptuar se të dhënat e tij personale janë keqpërdorur dhe se dikush tjetër ka aplikuar për kredi.

Pas thirrjes nga institucioni financiar, qytetari e ka lajmëruar rastin në polici.

Pas hetimeve të nevojshme, policia ka arritur t’i arrestojë dy të dyshuarit të cilët deri më tani kishin arritur të përfitonin shuma të mëdha parash duke i përdorur të dhënat e qytetarëve.

“Personat e dyshuar A. E, mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe K. G, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se kanë marrë nga viktimat (kopje dokumentesh) të dhënat personale , duke u premtuar atyre, se do t’ua rregullojnë vizat e punës për vende të Bashkimit Evropian, dhe të njëjtit me të dhënat e tyre kanë aplikuar për kredi (Online), duke përfituar kështu shuma të ndryshme të parave”, ka theksuar policia në një komunikatë.

Policia ka bërë të ditur se mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi, për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga ta arrin mbi 20 qytetarë të ndryshëm.

Si funksionojnë kreditë e shpejta?

Të marrësh kredi në një bankë ka procedura nëpër të cilat duhet të kalohet. E ndonjëherë nevoja për disa para shtesë nuk mund të presë derisa banka t’i kryejë këto procedura.

Duke parë nevojën e qytetarëve t’i kenë paratë në duar sa më shpejtë, institucionet e vogla financiare kanë krijuar mundësitë e kredive të shpejta, duke e thjeshtësuar aplikimin për kredi.

Krejt çka duhet është letërnjoftimi apo pasaporta, një numër telefoni dhe një e-mail adresë.

Aplikimi për kredi mund të bëhet nëpërmes uebsajteve të këtyre institucioneve financiare përmes telefonave të mençur.

Në formën online mund të përzgjidhet shuma e kredisë dhe afati kohor për të cilin do të paguhen paratë.

Shuma e parave që mund të merret në disa prej institucioneve financiare në Kosovë fillon nga 20 e deri në 1 mijë euro.