Kuçi: Gjykata Speciale tash është në duar të ndërkombëtarëve

E publikuar: 29/08/2015 13:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Speciale, zgjedhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ngritja e aktakuzave, si dhe funksionalizimi i Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, është një proces i cili varet dhe është krejtësisht nga ndërkombëtarët.
Këtë e tha në intervistë për KosovaPress Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai ka folur edhe për reformat në sistemin e drejtësisë, që sipas tij janë të dukshme, për besimin që duhet të kenë qytetarët në këtë sistem, për keqardhjen që ndjen lidhur me ato që kanë ndodhur në Pallatin e Drejtësisë, por se nuk ka asnjë përgjegjësi lidhur me to dhe për atë se institucionet vendore tashmë janë të gatshme të marrin përfundimisht kompetencat nga EULEX-i.

Kuçi ka folur edhe për suspendimet e shtatë zyrtarëve korrektues, nga aferat e zbuluara së fundi që ndodhen pas arratisjes së tre të burgosurve, për çka ai ka kërkuar që të merren masat e nevojshme, e të cilat sipas tij tashmë janë marrë.

“Unë kam marrë me shqetësim informatat që kanë ndodhur, pak ma shpesh po i quaj arratisje, tri sosh, një Prizren dhe dy pastaj në Dubravë. Përgjegjësia ime që të kërkoj nga Drejtori i Përgjithshëm dhe kryeinspektori çka ka atje dhe të merren masat hetimore. Pastaj Drejtori i Përgjithshëm dhe kryeinspektori janë ata që marrin masa. Unë nuk merrem me menaxhimin e burgjeve por me ligjshmërinë e veprimeve të tilla. Natyrisht që është sfidë menaxhimi i burgjeve, është edhe në vendet e tjera… Ka marrë veprimet drejtori. Natyrisht janë dy veprime nëse më lejohet ta them, veprimet e para që janë disiplinore e që i merr drejtori, ai ka kompetenca jo dikush tjetër, dhe veprimet e dyta që nëse ka elemente do të jenë penale që mund t’i marrë prokuroria, policia dhe organet tjera kompetente”, tha Kuçi.

Për Kuçin, sistemi i drejtësisë ka sfidat e tij, por se kjo ndodh me të gjitha vendet që janë pretendente për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi që siç tha Kuçi “llupa që përcjell veprimet tona do të jetë edhe më e madhe”.

Kuçi lidhur me reformat në sistemin e drejtësisë, tha se ato po ndodhin vazhdimisht, dhe prej që se është në krye të ministrisë që drejton, është ndërtuar një arkitekturë e drejtësisë e cila i kishte munguar Kosovës. Përveç emërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, themelimit të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial i ndarë nga të tjerët, është ndërtuar edhe sistemi i noterisë, i ndërmjetësimit, arbitrazhit, i përmbaruesve privatë, dhe administratorëve falimentues. Të gjitha këto sipas ministrit Kuçi kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë zvogëlimin e lëndëve në gjykata, duke i ofruar kësisoj shërbime më të mira qytetarëve.

Mirëpo për Kuçin tashmë përveç ndërtimit të këtyre sistemeve dhe krijimit të një infrastrukture të re, me burgje të reja, me gjykata dhe prokurori të reja, sistemi i drejtësisë në vend tani duhet të jetë funksional, dhe i tillë mund të bëhet vetëm atëherë kur lëndët zgjidhen shpejtë.

“Sistemi ka nevojë tani të jetë funksional dhe këtë mandat e kam quajt; Besimi në Drejtësi. Duhet ta rrisim besimin e qytetarëve në drejtësi. Besimi rritet duke i zgjidhur çështjet e pazgjidhura të lëndëve, duke i zgjidhur në mënyrë të drejtë, të paanshme, të pavarur profesionale dhe efikase. Do të thotë drejtësia duhet të jetë më e shpejtë. Ka gjyqtarë dhe prokuror që bëjnë punë të mirë, bëjnë punë dinjitoze, të guximshme, ka edhe lëshime që mund të ndodhin, por aftësia e një sistemi është shumë e mirë kur janë në gjendje që ata vetë ta disiplinojnë vetën, kur vetë të dënojnë veprimet “që nuk janë të mira”, ka thënë Kuçi. “Por në tërësi sistemi është funksional, nuk po e them se sistemi ynë në drejtësi është perfekt, por është më i miri në rajon, dhe këtë jo që po bëjmë ne, por e kemi bërë me ndihmën e ndërkombëtarëve, partnerëve tanë, me ndihmë edhe të UNMIK-ut fillimisht, pastaj edhe EULEX-it”, ka shtuar ai.

Lidhur me telashet në Pallatin e Drejtësisë, në këtë projekt 27 milionësh të financuar 80 për qind nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, Kuçi ka hequr përgjegjësinë e tij duke thënë se për të vetmen punë gjatë ndërtimit dhe funksionalizimit të këtij objekti, për të cilën MD është përfshirë, ka qenë sigurimi i fondeve dhe asgjë më shumë. Ky projekt ka qenë nën menaxhimin e Ministrisë së Administratës Publike.

“Duhet ta them që kam qenë i kujdesshëm, për mos me thanë i mençur që të mos merrem me prokurime, me ndërtime, se nuk kam ide për këtë punë, e edhe Pallati i Drejtësisë, si ministri e Drejtësisë, përjashtimisht që jemi kujdes vazhdimisht ta sigurojmë buxhetin, nga BE-ja, Kuvendi i Kosovës, respektivisht Qeveria, dhe ne nuk jemi marrë me asnjë punë tjetër. Më vjen keq për ato që kanë ndodhur, më vjen keq për ato incidente… Ministria e Drejtësisë nuk e ka asnjë fuqi dhe as nuk ka pas asnjë kompetencë as në ndërtim, as në menaxhim të sotëm e as në veprime të tjera aty”, tha Kuçi.

Për Ministrin e Drejtësisë institucionet vendore tashmë janë të gatshme të marrin kompetencat nga EULEX, por se këtë të fundit nuk mendon se duhet ta “largojmë” nga Kosova në mënyrë të njëanshme, por se ky tranzicion duhet të ndodh në bashkëpunim. Sipas Kuçit dështimet e EULEX në Kosovë nuk duhet të shihen si sukses për Kosovën, ashtu siç edhe dështimet e institucioneve kosovare të drejtësisë nuk duhet të shihen si sukses i këtij misioni.

“EULEX natyrisht që nuk është perfekt, besoj që i kanë rritur pritjet në fillim. Ndoshta ka qenë një gabim i tyre, drejtësia në një vend ndihmohet nga faktori ndërkombëtar, por po ashtu duhet ta them se drejtësia në një vend kryhet, realizohet dhe ka legjitimitetin e vet nga vendorët. Unë kam cituar disa herë zotëri Ahtisarin kur thotë se misionet ndërkombëtare janë sikur cigaret, fillon njeriu me e pi, në fillim i krijon qetësi, dikur efektet anësore dhe në fund bëhesh i varur. Ne duhet ta ndërtojmë sistemin tonë të drejtësisë që nuk është i varur nga EULEX-i. Ne me bashkëpunim do ta bëjmë tranzicionin e EULEX. Nuk do të bëjmë veprime unilaterale, që në Kuvendin e Kosovës dikush me u befasu. Unë kam menduar kështu, të shkohet nga Misioni në Komision. Misioni i EULEX kalon në Komisionin Evropian… Jemi të gatshëm t’i marrim kompetencat. Ka dy teori, o duhet të notojmë para se me hy në ujë, o duhet të hyjmë në ujë dhe të mësojmë të notojmë. Unë mendoj që ne duhet të hyjmë në ujë për aq sa nuk mbytemi”, tha Kuçi.

Se kur do të fillojë së funksionalizuari Gjykata Speciale, të cilës me 3 gusht Kuvendi i Kosovës i dha dritën e gjelbër, sipas Kuçit tashmë mbetet në duart e faktorit ndërkombëtarë, si dhe gjithçka tjetër rreth këtij procesi është tek ata. Kuçi thotë se negociatat e gjithçka tjetër janë stopuar që me ngritjen e lëndës nga ana e opozitës në Gjykatën Kushtetuese, të cilët kërkojnë të marrin qëndrimin e këtij institucioni lidhur me ligjshmërinë dhe përputhshmërinë me Kushtetutën e vendit, nga votimi i 3 gushtit.

“Mendoj që ngritja e çështjes në Gjykatën Kushtetuese e ka stopuar tanimë këtë proces të negocimit. Ne natyrisht, pra Ministria e Punëve të Jashtme, do ta udhëheq këtë proces, sikur në raste të tjera me një shtet mik, në këtë rast është menduar të jetë Holanda. Gjykata Speciale është një detyrim që është dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtar, ka qenë insistim i faktorit ndërkombëtar që ta lëmë në duart e tyre, dhe mund të them me përgjegjësi që tash e tutje ata e kanë në dorën e tyre, edhe seleksionimin e gjyqtarëve, edhe të prokurorëve, edhe veprimet kur do t’i marrin në organizim tjetër, pra nuk është në dorën e vendorëve për veprimet tjera”, tha Kuçi.

Ndërsa për emrat që kanë qarkulluar në ditët e para pas votimit nga ana e kuvendit për Specialen, Kuçi tha se nuk është në dijeni për asnjë emër për të akuzuarit e mundshëm, dhe me këtë proces sipas tij nuk do të duhej të spekulohej.

“E kam pa që është përfolur shumë dhe ka filluar tani të bëhet edhe pak si modë nëpër media të ndryshme. Por ajo që dua të them, është se asnjëherë në jetë mua askush nuk m’i ka përmend ata emra. Qoftë zyrtar vendor apo ndërkombëtar. Unë jam i bindur se prokurori i përgjegjshëm, dhe këta janë prokurorë të përgjegjshëm, nuk janë në gjendje që të japin emrat e aq më pak një ministri të Drejtësisë apo dikujt tjetër, emrat do të jenë vetëm kur të ngritën aktakuzat, më herët mund të jenë supozime por aty edhe prokurori kur do të ngritë aktakuzën duhet ta merr konfirmimin nga Gjykata. Ka një proces, unë do të kisha dashtë të mos spekulojmë me të”, tha Kuçi.

Ndërsa ajo që ministri Kuçi ka për qëllim të bëjë është rregullimi i pronave private dhe shtetërore, bërja e Kodit Civil. Kuçi në intervistë disa herë ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me drejtësinë, të kenë besim në të, dhe ka inkurajuar gjyqtarët dhe prokurorët që të bëjnë me efikasitet e përgjegjësi punën e tyre.