Kualifikohet Chelsea, Tottenhami ndeshje shtesë me Southamptonin

E publikuar: 26/01/2020 00:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skuadra e Chelsea-t arrin të kualifikohet në fazën e 1/8-ave të FA Cup, pasi mposhti 1-2 Hull City-n brenda në “KCOM Stadium”. Blutë e Londrës ishin gjatë gjithë ndeshjes në kontroll të lojës dhe rezultatit, por rrezikuan disi në fund, pas shkurtimit të diferencës nga vendasit.

Skuadra e drejtuar nga Frank Lampard e gjeti golin që në minutën e 6-të me Batshuayi, ndërsa në pjesën e dytë Tomori thelloi diferencën në 0-2. Hull City nuk u dorëzua dhe në minutën e 78-të hapi ndeshjen me Grosickin, por asgjë më shumë, pasi skuadra e Premier League-s, me shumë përvojë, arriti ta administronte avantazhin.

Nuk ia del ta mbyllë që në ndeshjen e parë çështjen e kualifikimit Tottenhami, që barazoi 1-1 në fushën e Southamptonit. Son Heung-Min realizoi golin e parë të sfidës në minutën e 58-të, por Boufal, 3 minuta para fundit të kohës së rregullt i dha edhe një shans tjetër Southamptonit për të tentuar kualifikimin, edhe pse ndeshja e dytë do të zhvillohet në fushën e londinezëve./TCH/