Kthehet në punë Sekretari i MTI-së i suspenduar për ndërhyrje nëpër tender e grante

E publikuar: 12/09/2018 10:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci i suspenduar për ndërhyrje në grante e tenderë është rikthyer në punë. Vendimi për rikthimin e tij e ka marr ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë, Arbëreshë Krasniqi.

Emërimi i Rrecit në pozitën e sekretarit ishte kundërshtuar nga disa Organizata të shoqërisë civile, pasi ai vine nga partia Nisma për Kosovën.

Rreci ishte suspenduar nga ministri Bajram Hasani, me 29 gusht 2018. Një javë pas këtij vendimi, kryeministri Haradinaj e kishte liruar Hasanin nga detyre me arsyetimin se një gjë të tillë e ka kërkuar Nisma për Kosovën.

Një javë pas shkarkimit të ministrit Hasanit, Rreci është rikthyer në pozitën që kishte më parë.

Në arsyetim të vendimit për rikthim në punë thuhet se ka pasur shkelje materiale dhe procedurale në vendimin për pezullim.

Gazeta JNK ka pyetur Qeverinë se nëse është e njoftuar për vendimin e ish ministrit Bajram Hasani dhe nëse ka formuar komision për ta shqyrtuar të njëjtin për pretendimet e ngritura, por nuk ka marr përgjigje.

Ish ministri i MTI-së, Bajram Hasani, i cili me kërkesë të partisë së tij NISMA u shkarkua ditë më parë, kishte marr vendim për pezullim nga puna të sekretarit të kësaj ministrie, Burim Rreci.

Në vendimin për pezullim, fillimisht thuhet “pezullohet”, ndërsa në pikën 1 të vendimit të datës 29 gusht përmendet fjala “shkarkim”.

Vendimi i ish ministrit Bajram Hasani

“Pezullohet nga pozita e Sekretarit z. Burim Rreci, Sekretar Permanent i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë: Shkarkim nga puna i z. Burim Rreci, Sekretar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë; Burim Rreci gjatë kohëzgjatjes së pezullimit i takon 50% e pagës në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet ndër tjera në vendimin e Bajram Hasanit.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Rreci është shkarkuar për shkak të paaftësisë profesionale dhe keqadministrimit që kanë rezultuar me shkelje sistematike të neneve 5, 51, 52, 55, 61, 64, 65 të ligjit për Shërbimin Civil.

Por, ai është akuzuar se është involvuar edhe nëpër grante e tender.

“Burim Rrecaj pezullohet nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të MTI-së po ashtu për involvim të drejtpërdrejtë në grante e tender, si dhe ushtrim i presionit mbi komisionin me rastin e emërimit të shërbyesve civil”, thuhet në vendimin i cili i është dërguar Kryeministrit, Burim Rrecit dhe Arkivës së MTI-së.

Në vendimin e ushtrues së detyrës së ministrës Krasniqi, që është marr me 10 shtator, thuhet se Hasani ka bërë shkelje procedurale.

“Në vendim ka kontradikta në mes pezullimit dhe shkarkimit, kur dihet se për shkarkimin e sekretarit të Përgjithshëm është kompetent Komisioni Disiplinor nga Pozitat e Larta i paraparë me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, prandaj duke marrë parasysh shkeljet materiale dhe procedurale, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin për rikthim në punë të sekretarit të MTI-së.

Tutje në vendimin për rikthimin e Rrecajt thuhet se vendimi i ministrit nuk ishte protokolluar bazuar në ligjet në fuqi.

“Duke pasur parasysh procesverbalin për shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurave para dhe pas miratimit të vendimit për pezullim, raportin e komisionit për shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurave para dhe pas miratimit të vendimit për pezullim, dhe kërkesën për shqyrtim të këtij vendimi, gjeti se vendimi nuk është protokolluar sipas rregullave të protokollit dhe ka pasur shkelje para dhe pas protokollimit të vendimit dhe nuk janë respektuar rregullat e vulosjes dhe ruajtjes së dokumenteve në kabinetin e Ministrit”, thuhet në këtë vendim.

Po ashtu, thuhet se nuk janë njoftuar dhe nuk ju ka dërguar vendimi palëve të cekura në vendimin “5977” (për pezullim), në bazë të ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

“Vendimi nuk i është dorëzuar Divizionit të Burimeve Njerëzore, përgjegjës për menaxhimin e shërbyesve civil, edhe pse një e tillë është kërkuar nga Udhëheqësja e Divizionit të Personalit, siç është cekur në procesverbalin 1707”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Vendimin për kthimin e Rrecajt në detyrën e sekretarit të përgjithshëm e ka nënshkruar Arbëreshë Krasniqi, UD Ministre e MTI-së.

Në mbledhjen e Qeverisë më 29 janar u vendos që të emërohet për sekretar në këtë ministri, Burim Rrecaj, i cili vinte nga NISMA. Ky vendim kishte shkaktuar reagime të OJQ-ve.

Vendimi i UD Ministres së MTI-së

Vendimin e ka nënshkruar Arbëreshë Krasniqi, UD Ministre e MTI-së.

“Në bazë të vlerësimit të kompanisë britanike dhe komisionit vlerësues, e vetmja kandidate e cila i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar sekretare e përgjithshme ishte Gentiana Islamaj, e cila deri në fund të janarit 2018 ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në MTI”, thuhej në reagimin e organizatave joqeveritare.

Organizatat në reagim thonë se i zgjedhuri në pozitën e sekretarit, nuk ishte renditur i katërti në vlerësim.

“Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP-i i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhet në reagimin e përbashkët.

Këto organizata pretendojnë se ky vendim i qeverisë është shkelje ligjore dhe ka politizuar pozitën e sekretarit në këtë ministri.

“Do të ishte e logjikshme që qeveria të përzgjedhë kandidat-in/en i cili ka marrë numrin më të madh të pikëve dhe jo të përzgjedhë kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret për atë pozitë. Për më tepër, Burim Rrecaj ishte pjesë e listës zgjedhore të partisë Nisma për anëtar të Kuvendit Komunal të Prishtinës”, thuhet tutje në këtë reagim.