Kthehen në vendlindje eshtrat e kosovarit, i zhdukur para 27 vjetësh në Bosnje

E publikuar: 11/09/2019 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rifat Berisha (1945), nga fshati Gurbardh i Komunës së Malishevës, 27 vite më parë ishte zhdukur diku në Bosnje gjatë rrugëtimit të tij për në Slloveni.

Ndërkaq tani 27 vjet pas të zhdukjes, janë gjetur eshtrat e tij dhe sot janë kthyer në vendlindje pranë familjes dhe fisit të tij në Gurbardh.

Eshtrat e të ndjerit sot janë pranuar nga familja në kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ndërsa në pranimin e arkivolit, krahas familjarëve, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe zyrtarët e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të prirë nga Prenk Gjetaj.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, e ka përshkruar si “një moment emocionues gjetjen pas 27 vjetëve dhe kthimin e eshtrave në vendlindje, por edhe moment i dhimbjes për familjarët, të cilët për 27 vite jetuan në ankth dhe vuajtje në kërkim të familjarit”. Me këtë rast, nënkryetari Berisha ka bërë të ditur se në Komunën e Malishevës vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 38 persona.

Ndërsa djali i Rifatit, Driton Berisha, i ka përshkruar momentet e fundit që e ka parë prindin kur ishte vetëm shtatë vjeç, ndërsa ka treguar se prindi i tij ishte nisur për të shkuar në Slloveni në vitin 1992, kur edhe ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë luftës që po zhvillohej atje, bëjnë të ditur nga Komuna e Malishevës.

“Nuk jemi ndalur asnjëherë së kërkuari për 27 vjet, derisa e kemi gjetur, prandaj ju bëj thirrje të gjitha familjeve që të mos i humbin shpresat për gjetjen e familjarëve të tyre të zhdukur, por të angazhohen deri në fund”. Ai më pas e ka falënderuar edhe Komunën e Malishevës për përkrahje.