kskluzive: Z-Mobile po e dëmton Telekomin ilegalisht, Zyra e Auditorit nxjerr raportin e plotë

E publikuar: 28/06/2019 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas një muaji Telekomi mund të çlirohet nga kontrata një dekadëshe që e ka lidhur Z-Mobile’in. Është raportuar vazhdimisht për fitimin e paktë dhe dëmet e mëdha që kompania publike ka pasur nga biznesi i Blerim Devollit. Një drejtim tjetër që i ka shkaktuar humbje Telekomit janë aktivitetet ilegale të quajtura “Sim to Sim”. Në raportin e Zyrës së Auditorit që e ka Gazeta Express thuhet qartë se 90 për qind e numrave që kryejnë aktivitete ilegale i takojnë Z-Mobile’it, që po vazhdon ta kultivojë këtë dukuri në dëm të Telekomit.

Albioneta Ademi

Tri raporte kredibile, të organizatave të ndryshme, alarmojnë për gjendjen e rëndë në Telekom dhe për humbjet e kompanisë publike, të shkaktuara në masë të madhe edhe nga kontrata që e ka me Z-Mobile’in.

Express ditë më para ka publikuar letrën e shefit të Telekomit, Bedri Istrefit, i cili e njofton Blerim Devollin se këto raporte, në mesin e tyre edhe ai i Ekspertizës Ndërkombëtare dhe një Raport i Brendshëm Financiar, e këshillojnë Telekomin që të mos e vazhdojë më marrëveshjen me Z-Mobile’in. Kontrata e tanishme përfundon me 30 korrik të këtij vitit.

Raporti tjetër është ai i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, të cilin e ka siguruar Gazeta Express. Në këtë raport renditën humbjet në shumë fronte në Telekomin e Kosovës. Në gjetjet përfundimtare të Auditorit të Përgjithshëm jepet alarmi që Telekomi i Kosovës është buzë kolapsit teknik dhe financiar. Aty thuhet se investimet e fundit teknike në Telekomin e Kosovës janë kryer në vitin 2016, ndërsa për të dalë prej kësaj situate duhet të investohen dhjetëra miliona euro që Telekomi nuk i ka, e që as Qeveria nuk ia jep.

Në listën e gjetjeve të këti raporti nuk mungojnë dëmet që vazhdojnë t’i bëhen Telekomit (si MNO), nga kontrata 10-vjecare me operatorin private, Z-Mobile, si VMNO.

“Gjatë auditimit, kemi identifikuar mangësi në parandalimin e humbjeve dhe korrigjimeve të aktiviteteve që konsiderohen si mashtrime”, njofton Zyra Kombëtare e Auditorit.

Një nga gjetjet e evidentuara nga Auditori është dukuria ilegale “Sim to Sim”, e cila po lulëzon në Telekom, duke i shkaktuar humbje të mëdha Telekomit dhe profite ilegale Z-Mobile’it. Ky fenomen ka qënë shumë prezent para pesë gjashtë viteve, mirëpo, sipas raportit, ai është rikthyer përsëri. Sipas raportit, 90 për qind e numrave që e kanë kryer këtë aktivitet ilegal vijnë nga Z-Mobile’i.

“Trafiku i anashkaluar, apo aktiviteti ilegal ‘Sim to Sim’ ka filluar të raportohet nga Telekomi që nga muaji qershor 2018. Është vërejtur që ky aktivitet ka pasur trend të rritjes muajve të fundit të vitit 2018, dhe kjo rritje ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019, ku në tremujorin e parë të vitit 2019 ka arritur mesatarisht në 200 aktivitete të tilla në muaj. Nga rastet e identifikuara, 90 për qind e numrave që kanë kryer aktivitete “sim to Sim”, i përkasin operatorit MVNO (Z-Mobile)”.

Madje, sipas raportit, kompania e Blerim Devollit nuk i ka bllokuar numrat që janë identifikuar që po kryejnë aktivitetet Sim to Sim. Në kontratën që e kanë Telekomi e Z-Mobile, operatori privat është i detyruar që ta luftojë këto aktivitete.

“Nga numrat e identifikuar që kanë kryer aktivitete “Sim to Sim”, rreth 7 për qind e tyre nuk janë bllokuar me kohë, gjë që ia ka mundësuar që këtë aktivitet ta përsërisin”.

Auditori e bën të qartë që Telekomi i ka të gjitha mundërsitë për ndërprerjen e kontatës me Z-Mobile’in, nëse e vëren që operatori privat nuk po merr masa për ndërprerjen e aktivitetit ilegal dhe vazhdimësia e dukurisë “Sim to Sim” nga Z-Mobile është e dukshme.

“Sipas marrëveshjes për mbështetje ndërmjet PTK SH.A [Telekomit] dhe Dardafon.net [Z-Mobile’it], konkretisht sipas nenit 9.4 Konkurrenca ilegale parashihet që: “Palët do të kooperojnë që të luftojnë dukurinë e njohur si “Sim to Sim”. Për më tepër, Dardafon.net është në dijeni se nëse PTK detekton ndonjë aktivitet të dukurisë Sim to Sim, PTK rezervon të drejtën të bëjë shkyqjen e këtyre numrave. Nëse kjo dukuri rezulton si “neglizhencë” nga ana e Dardafon.net-it, atëherë PTK rezervon të drejtën e ndërprerjës së kontratës në tërësi, sipas neneit 13.1”, thuhet raport.

Për mospërmbushje të kontratës, Z-Mobile e ka cuar Telekomin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe i ka fituar mbi 30 milionë euro nga ky rast. Ndërkaq, edhe përkundër që Auditori ka gjetur shkeljet që po i bën Z-Mobile me dukurinë Sim to Sim, nuk ka pasur ndonjë rast të denoncuar nga kompania publike.

Zyrtarët e Telekomit i kanë thënë ZKA’së se është rritur kjo dukuri edhe për shkak të ndryshimit të kodit shtetëror. Por, arsye për mosndaljen e “Sim to Sim”, Telekomi e përmend edhe mungesën e qasjes në sistemin e Z-Mobile’it si pamundësi të luftimit të këtyre aktiviteteve. /Express/