Kryetarja e Kuvendit me ambasadorin turk: Do të rrisim bashkëpunimin parlamentar me Turqinë

E publikuar: 14/02/2020 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Turiqsë në Kosovë, Cagri Sakar.

Të dy në takim kanë biseduar rreth marrëdhënieve Kosovë – Turqi dhe janë pajtuar të thellojnë bashkëpunimin.

Kjo është komunikata e plotë:

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Çagri Sakar.

Ambasadori Sakar uroi kryeparlamentaren për detyrën e re, duke shprehur edhe qëllimin e shtetit turk për të thelluar bashkëpunimin në shumë fusha mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë.

Z. Sakar potencoi se Turqia do të vazhdojë të mbetet partner i besueshëm i Kosovës, duke ofruar përkrahje në të gjitha fushat e nevojshme.

Në anën tjetër, kryetarja Vjosa Osmani –Sadriu, duke shprehur falënderimin e saj për vizitën dhe bashkëpunimin e ofruar, deklaroi se si kryetare e Kuvendit do të angazhohet maksimalisht në funksionalizimin e plotë të diplomacisë parlamentare mes Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Madh të Turqisë.

Poashtu, kryetarja e Kuvendit theksoi se në afat rekord do të konstituohen grupet e miqësisë mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe homologëve të tyre nga shumë shtete të botës.​