Kryetarja e Kushtetueses jep mesazhin për krijimin e institucioneve të reja

E publikuar: 30/06/2017 21:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi ka thënë se rregullat Kushtetuese duhet të interpretohen në funksion të krijimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe nuk mund të shërbejnë si pretekst për të krijuar pengesa.

Ajo këto komente i bëri sonte me rastin e shënimit të 4 Korrikut – Ditës së shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së.

“Është në përgjegjësi të gjeneratave të ardhshme të Kosovës për të vazhduar punën drejt shtet-ndërtimit, gjë e cila më së miri bëhet përmes përforcimit të sundimit të ligjit, ku askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë pa përjashtim janë nën kontrollin e tij”, ka thënë ajo, transmeton Kosovapress.

Rama-Hajrizi ka theksuar se Kosova sot është para një testi të demokracisë për krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe se rregullat Kushtetuese nuk mund të shërbejnë si pretekst për të krijuar pengesa në procesin e krijimit të institucioneve.

“Rregullat Kushtetuese duhet të interpretohen në funksion të krijimit të institucioneve. Rregullat Kushtetuese nuk mund të shërbejnë si pretekst për të krijuar pengesa në procesin e krijimit të institucioneve kushtetuese që kanë dalë nga zgjedhjet. Tejkalimi i suksesshëm i këtij testi do të jetë indikator shtesë për qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe indikator shtesë për përkushtimin e të gjitha institucioneve të Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit. Vetëm përmes këtij të fundit të fundit e ardhmja e Kosovës do të premtojë mirëqenie për qytetarët e saj”, ka thënë Rama Hajrizi.

Ajo është zotuar se mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve do të jetë misioni i saj kryesor si kryetare e Gjykatës Kushtetuese dhe mision i secilit gjyqtar vendor dhe ndërkombëtar që janë pjesë e kësaj gjykate.