Kryetari i Rahovecit jep detaje për pacientin që vdiq sot nga COVID-19

E publikuar: 21/06/2020 12:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka treguar se 52 vjeçari që vdiq nga COVID-19 kishte edhe sëmundje përcjellëse. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook. Latifi u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat.

“Me keqardhje ju njoftoj nga Klinika Infektive në Prishtinë, se paska ndërruar jetë i prekuri me COVID-19, E.K (52 vjeç) nga Rahoveci. I ndjeri kishte probleme të tjera përcjellëse, të cilat ishin mjaft serioze. Në këto momente të dhimbjes dhe pikëllimit, ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të ndjerit nga Rahoveci”, ka shkruar Latifi në Facebook.

“Ju lutem t’iu përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shtabit të posaçëm komunal. Mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike”.