Kryetari i Prishtinës: Lufta politike në kohë pandemie mund të ketë pasoja të rënda

E publikuar: 04/05/2020 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë sot se duhet të kërkohet hetim e përgjegjësi për rastin e vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve, ndërsa ka kërkuar nga të gjithë që të mos ndjellin urrejtje e ndasi.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook u ka bërë thirrje që të qëndrojnë të gjithë afër familjes e cila ka humbur djalin, ndërsa theksoi se lufta e pakursyer politike në kohë pandemie mund të ketë pasoja të rënda.

Lexoni të plotë postimin e tij:

“Aman, mos ndjellni edhe më shumë urrejtje e ndasi. Qëndroni familjes pranë sa më shumë. Kjo nuk është vetëvrasja e parë, por mundemi me punu me qenë e fundit në këtë pandemi.

Depresioni është sëmundje me të cilin shumica prej nesh jemi ballafaqu. Prandaj edhe duhet të trajtohet e të ndihmohet çdo person që mund të shfaq simptome.

Le të kërkohet hetim e përgjegjësi, por me këtë vrull të sulmeve po duket thua se kemi kërkuar që diçka të shkoj keq.

Po shpresoj se e kuptojnë dyja palët që lufta e pakursyer politike në kohë pandemie mund të ketë pasoja të rënda.

Ngushëllime familjes e shpresoj se e gjejnë forcën me përballu këtë humbje të madhe.