Kryetari i LDK’së: Në asnjë rast nuk do të humbet miqësia me SHBA’në

E publikuar: 11/03/2020 21:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kujtuar rëndësinë e miqësisë së Kosovës me SHBA-në, e cila miqësi siç tha ai është ndërtuar nga ish-Presidenti Ibrahim Rugova dhe të cilën potencoi se nuk do ta humbim në asnjë rast.

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës më Gjilan, sot ka shënuar 30-vjetorin e themelimit të sajë, e cila është themeluar më 4 mars 1990, në krye me Musa Qerimin, si kryetar i parë.

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se në Gjilan nuk janë larguar asnjëherë nga rezistenca e tyre politike.

Ai tha se veprimi i tyre dhe angazhimi me besim të thellë se kjo ideologji mbron familjen e Republikës dhe me besim në Zot kanë arritur ku janë sot.

“Kjo parti politike e themeluar nga Ibrahim Rugova, këtij vendi përveç që i dha identitetin e një republi ke dhe të një populli, që tash udhëheq dhe vendos vet, ai i dha edhe demokracinë dhe me këtë demokraci fitojnë të gjithë në Kosovë. I falemi një njeri, i cili këtë Republikë e themeloi si kompromis të dhimbshëm dhe të vetëm në Ballkan, për t’i pushuar gjakrat e luftës. I falemi njeriut, i cili në kohën e luftërave të përgjakshme në kohën e ish-Jugosllavisë tregohet ndryshe”, tha Haziri.

Ai tha se rikthimi i madh i LDK-së në Krishtlindjet e vitit 2013, duke mësuar nga gabimet e tyre, është rruga më e drejtë dhe më e mirë, për të mos lejuar asnjëherë që të gabojnë, sepse qytetari, anëtari i LDK-së asnjëherë nuk ka gabuar. “Ne funksionarët e tyre, funksionarët e LDK-së këtë gabim nuk e përsëritim asnjëherë dhe kjo është garancioni që ne të vazhdojmë të ecim drejtë sukseseve të mëdha”, tha ai.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se janë partia e parë e cila filloi rezistencën, një rezistencë të shenjtë në krye me presidentin tonë historik dr. Ibrahim Rugova.

“Është presidenti Rugova, i cili me besnikërinë më të madhe i eci kësaj rruge, i cili nuk arriti të jetë gjallë në ditën kur u shpall pavarësia e Republikës së Kosovës. Por janë gjallë pasuesit e tij, janë gjallë anëtarët e LDK-së, qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse ai asnjë herë nuk e uli rëndësinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës ndaj një anëtari të partisë së tij, i cili e deshti me aq vullnet e qoi përpara”, tha Mustafa.

Ai tha se duhet të punojnë dhe ta mbajnë lidhjen me faktorin ndërkombëtar, i cili në çdo moment na është gjetur pranë, dhe siç tha ai, Ibrahim Rugova ka ndërtuar marrëdhënie speciale me SHBA-në.

“Ne këtë miqësi në asnjë rast nuk do ta humbim, nuk do ta ndërrojmë me asgjë, me asnjë partneritet. Sepse këtu nuk është fjala për simbolikë tonë, është fjala për mbijetesën tonë, për shtetin tonë, sepse këtë shtet e kemi ndërtuar me SHBA-të në të gjitha fazat”.

Mustafa tha se afër 100 njohje janë realizuar fal mbështetjes dhe angazhimit ët SHBA-së.

“Sot ne e kemi prezencën e ushtrisë amerikane në Kosovë. Sot ne e kemi prezencën amerikane në FSK. Sot e kemi prezencën amerikane në Polici. Sot e kemi prezencën amerikane në çdo sferë të ndërtimit shtetëror dhe ne dëshirojmë që kjo prezencë të jetë edhe më e madhe”, tha Mustafa.