Kryetari i Fushë Kosovës përkrahë kërkesat e bizneseve

E publikuar: 15/11/2018 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore për bizneset e Sllatinës ishte qëllimi i vizitës së Odës së Afarizmit të Kosovës dhe përfaqësuesve të bizneseve, tek kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) Skënder Krasniqi falënderoi kryetarin Berisha për pritjen dhe e njoftoi nga afër me problemet me të cilat po përballen bizneset në këtë Komunë, e të cilat i kanë adresuar tek OAK. Si probleme primare për këto biznese Krasniqi veçoi infrastrukturën, energjinë dhe problemet e tjera komunale.

Kryetari Berisha u shpreh i gatshëm për shtyrjen përpara të kërkesave të adresuara nga OAK. Ai potencoi se kanë marrë mbështetje institucionale për një projekt në vlerë prej 300 mijë euro, të cilat do të investohen në fusha të ndyshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e biznesit.

Komuna e Fushë Kosovës do të angazhohet maksimalisht në realizimin e këtyre kërkesave, pasiqë konsiderohen si shumë të rëndësishme, tha nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës Fadil Krasniqi.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit të Komunës së Fushë Kosovës, Abdullah Prebeza shtoi që do të merren parasysh të gjitha kërkesat e arsyeshme të bizneseve dhe se realizimi i tyre do të jetë konform proceduarave komunale.

Pronari i biznesit “Envricon” Ruzhdi Thaqi theksoi që këto biznese janë bashkuar tek Oda e Afarizmit të Kosovës dhe se kërkesat e tyre janë të përbashkëta, ku edhe kërkoi nga Komuna mbështetje në realizimin e tyre.

Përfaqësuesi i biznesit “Scan Color JYSK Kosova” Selim Murtezaj shtoi që ndërrimi i emrit është i domosdoshëm pasiqë të gjitha këto biznese kanë bashkëpunime të mëdha me bizneset e huaja. Murtezaj shtoi që krijimi i Zonës Industriale Sllatinë do të ndikoj në përmirësim të imazhit të këtyre bizneseve tek partnerët ndërkombëtar.

Berisha falënderoi OAK-në dhe binzeset për vizitën duke premtuar se brenda këtij viti do të filloj të punoj për realizimin e kërkesave të paraqitura nga bizneset.

Në fund të takimit, të dyja palët u dakorduan të bashkëpunojnë me qëllim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes në Kosovë.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, koordinatorja Donika Gashi dhe zyrtarja Doruntina Gashi. Ndërsa nga bizneset anëtare të pranishëm ishin: përfaqësuesi i biznesit JYSK Kosova Selim Murtezaj dhe pronari i Envricon Ruzhdi Thaqi./Infosot