Kryetari i Drenasit sot jep dorëheqje

E publikuar: 25/10/2016 07:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nexhat Demaku sot do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës dhe të kryetarit të degës së PDK-së në Drenas.

Ky vendim vjen pasi që Gjykata e Apelit ua ka konfirmuar dënimin që ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës më 15 maj të vitit 2015. Nexhat Demaku ishte dënuar me 3 vjet burg së bashku edhe me vëllanë tjetër Fadil Demaku në rastin “Drenica II”.

“Unë nesër do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës dhe kryetarit të degës së PDK-së në Drenas”, tha Demaku për KosovaPress.

 Me gjithë këtë, kryetari i Drenasit tha se asnjëherë nuk do ta pranojë këtë vendim që ka dhënë Gjykata, pasi që sipas tij, këto veprime për të cilat janë dënuar ai bashkë me vëllezërit dhe bashkëluftëtarët e tij.

Demaku tha se krejt ky  proces prej fillimit deri në fund ka qenë jo i rregullt dhe i montuar. Vet fakti  sipas Demakut që lënda është transferuar në veri që ai e quan vendin më të jashtëligjshëm në Evropë, tregon qëllimin e misionit.

“Ky proces është nisur me një qëllim që të njolloset UÇK-ja dhe se ky dënim është dënim i një grupi të  radhës së UÇK-së pasi që edhe më herët janë dënuar bashkëluftëtarë tjerë”, tha Demaku për KosovaPress.

Sipas tij, tendenca është që të kriminalizohet UÇK, por sipas tij nuk kanë me ia arrit këtë pavarësisht këtyre tendencave. Ai shtoi se nuk e pranon këtë vendim dhe se nuk i beson drejtësisë ndërkombëtare në asnjë nivel.

 “Nuk kam arsye sepse jam vet viktimë e këtij procesi, sepse ky gjyqësor është një mision që ka qëllime të caktuara. Kushdo, që do të kishte filluar nga e para rezultati do të ishte ndryshe”, thotë Demaku.

Megjithatë, Deamku tha se nuk do të ndalin së kërkuari të drejtën e tyre nëpërmes ligjit pasi që siç tha do të shfrytëzohet edhe procedura e ardhshme për mbrojte të ligjshmërisë.

Nexhat Demaku tha se edhe vëllai i tij Fadil Demaku do të jap dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Apeli ua ka konfirmuar dënimin edhe dy vëllezërve tjerë Zeqir dhe Jahir Demaku me nga 6 vjet burg, Isni Thaçit me 6,5 vjet burg, Sylejman Selimit ia kanë zvogëluar një vit burg në 7 nga 8 që ishte dënuar si dhe vëllezërve Demaj, Bashkim, Driton, Selman dhe Agim Demaj me tri vjet burg. Të gjithë këta janë dënuar për krime lufte në rastin e njohur si “Drenica II”.