Kryetari Bajram Mulaku kërcënohet me kallashnikov si në filma

E publikuar: 17/06/2015 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, sot në mëngjes është kërcënuar me kallashnikov nga një qytetar, derisa ai po shkon në zyrën e tij në komunë, raporton Veriu.info.

Kërcënimin me kallashinikov për Veriu.info e ka konfirmuar vet kryetari Mulaku, i cili ka treguar se edhe më herët është kërcënuar nga i njëjti person, i cili i kishte kërkuar punësim si drejtor, madje jo në institucionin e komunës, por në Qendrën e regjistrimit civil dhe të automjeteve në Vushtrri, e cila menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Sot në ora 7:50 Muhamet Mërnica më ka dalë në rrugën ‘Shotë Galica’, ku me veturë ia ka bllokuar rrugën veturës time zyrtare, me ç’rast ma ka drejtuar Kallashnikovin ku më ka kërcënuar me vrasje. Në veturë me mua përveç shoferit, kanë qenë gruaja dhe dy fëmijët e djalit, të cilët përgjatë rrugës për në komunë kam pasur t’i lë në kopshtin e fëmijëve ‘Diari’. Kërcënuesi më ka thënë se i paske fëmijët me veti se në vend të kisha vrarë”, rrëfen Mulaku për Veriu.info.

I pari i Vushtrrisë tregon se kërcënuesi i ka kërkuar ta realizoj një kinse marrëveshje për të cilin ai thotë se nuk ka ekzistuar asnjëherë.
“Kërcënuesi më ka thënë nëse e lajmëroj rastin në polici, kam me t’i vrarë djemtë”, thotë Mulaku.

Veriu.info mëson se e gjithë ngjarja terrorizuese ndaj kryetarit Mulaku dhe familjes së tij, ka zgjatur rreth 5 minuta, ku më pas vetura e kryetarit është tërhequr prapa për shkak të bllokadës dhe kërcënimit që ia ka bërë kërcënuesi.

Këtë rast për Veriu.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë për këtë rast janë arrestuar dy persona dhe është konfiskuar një armë./Veriu.info/