Kryesia e LDK-së nderon Fehmi Aganin në 19 vjetorin e vrasjes së tij

E publikuar: 06/05/2018 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me rastin e përvjetorit të 19-të të vrasjes së veprimtarit të dalluar politik, Fehmi Agani do të bëjë homazhe te varri i tij.

Fehmi Agani ishte nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Homazhet do të mbahen nga ora 11:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Agani u vra me 6 maj të vitit 1999 nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor.

Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike u vra afër Lipjanit 19 vjet më parë nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë treni u kthye mbrapsht.

Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë.

Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.

Kufoma e tij u gjetë të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit tashmë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. /21Media