Kryeprokurori sqaron autopsinë e policëve: Vdiqën gjatë rrokullisjes së veturës

E publikuar: 16/05/2018 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë kaluar më shumë se dy javë qëkur policët Malësor Dashi dhe Armend Trena u rrokullisën me veturë në lumin Lepenc. Raporti i autopsisë thotë se dy policët kanë vdekur gjatë rrokullisjes së veturës dhe se vetura nuk kishte probleme, por rasti po cilësohet si vetaksident.
Malësor Dashi e Armend Trena ranë në lumin Lepenc, për t’u gjetur kështu pas 1 jave nga aksidenti.

Raporti i autopsisë thotë se policët kanë vdekur gjatë rrokullisjes së veturës, rast ky që ndodhi më shumë se dy javë më parë. Ky informacion megjithatë nuk u bë i qartë, pasi dje kryeprokurori u citua të ketë thënë se “policët kanë vdekur para se të bien në lumë”. Por, Jashari u sqarua sot për Gazetën Express.

“Sipas raportit, trupat e dy policëve kanë vdekur gjatë rrokullisjes. Policët nga goditjet e marra, nga plagët e marra gjatë rrokullisjes ata kanë vdekur”, tha Jashari për Express.

Ai, gjithashtu, tha se raporti i ekspertizës thotë se vetura me të cilën policët u rrokullisën ishte në rregull dhe ata janë vetaksidentuar.

I pyetur për detaje të tjera rreth raportit të ekspertizës së veturës, Jashari konfirmoi se Malësor Dashi dhe Armend Trena, nuk ishin duke ngarë veturën shpejt.

“Nuk ishin shpejt, diku në 40 kilometra në orë”, tha kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari.

Dy policët e Kosovës, Malësor Dashi e Armend Trena humbën jetën kur me veturën zyrtare ranë në ujërat e lumit Lepenc në mbrëmjen e 28 prillit.

Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë në ujërat e lumit Lepenc pas kërkimeve nga ekipet e Policisë, FSK-së, zjarrfikësve e qytetarëve vullnetarë./GazetaExpress/