Kryeprokurori Lumezi priti në takim ministrin Selimi

E publikuar: 10/06/2020 13:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi kanë pritur në takim njoftues Ministrin e ri të Drejtësisë, Selim Selimi.

Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi ka uruar Ministrin Selimi për detyrën e re, si dhe e ka njoftuar me funksionimin, punën dhe të arriturat e deritanishme të Prokurorit të Shtetit, përkatësisht progresin e arritur në rastet e shenjëstruara, si për sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe për reformat permanente të cilat kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në këtë institucion, duke ndikuar kështu në rritjen e efikasitetit, performancës, llogaridhënies dhe integritetit të sistemit prokurorial. Rrjedhimisht, në kuadër të këtyre reformave, Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se tanimë ka filluar edhe procesi i profilizimit të prokurorëve, duke ndikuar kështu edhe në avancimin e punës së prokurorisë.

Ndërkaq, Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar së prioritet i tij do të jetë përmbushja e programit qeveritar në fushën e drejtësisë, përgatitja e projektligjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, përfshirja e të gjithë hisedarëve në proceset si vetingu, rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit në kuadër të projektit Drejtësia 2020, si dhe gatishmëria për t’i ndihmuar dhe mbështetur institucionet e drejtësisë.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim të konsolidimit të institucioneve të drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës./Infosot/