Kryeprokurori Aleksandër Lumezi takon ambasadoren e ShBA-së në Mal të Zi

E publikuar: 11/03/2019 14:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në kuadër të konferencës për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit e cila po mbahet në Mal të Zi, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Judy Rising Reinke.

Kryeprokurori Lumezi e njoftoi ambasadoren Reinke me zhvillimet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës, për rezultatet arritura në luftimin e terrorizmit, si dhe për nevojën e Kosovës që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare si në Interpol dhe Europol.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit e ka njoftuar ambasadoren Amerikane edhe për bashkëpunimin e Kosovës me shtetet e rajonit dhe vendet tjera në parandalimin e rasteve të terrorizmit, duke theksuar se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhën nga një shtet i vetëm, sepse krimet me të cilat po ballafaqohemi i tejkalojnë kufijtë kombëtar duke paraqitur rrezik serioz për shtetet tona.

Ndërsa ambasadorja e ShBA-së në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, theksoi se kjo është një sfidë dhe detyrim i të gjitha shteteve të Ballkanit perëndimor dhe se ky takim duhet të kontribuoj në rritjen e komunikimit ndër-shtetëror, i cili, është shumë i rëndësishëm për luftimin e krimeve transnacionale.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me një delegacion të Prokurorisë së Shtetit po marrin pjesë në konferencën për Bashkëpunim Ndërkufitar kundër Krimit e cila është organizuar nga Prokuroria e Shtetit të Malit të Zi, dhe mbështetur nga ambasada e ShBA-së në Mal të Zi.