Kryengritësi Haradinaj në Bruksel

E publikuar: 19/12/2017 19:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Berat Buzhala
Prej kohës së Rambujesë Kosova asnjëherë nuk e ka befasuar komunitetin ndërkombëtar, me theks të veçantë Brukselin dhe Washingtonin. Sjelljet e lidershipit të Kosovës, në raport me ndërkombëtarët, kanë qenë standarde, brenda margjinave minimale të gabimeve. Vendi ynë gjatë gjithë kësaj kohe është udhëhequr nga politikanë të parashikueshëm, për të cilët, që në krye të herës, është ditur se secili prej tyre çka përfaqëson, sa shumë mund të rezistojë, sa larg mund të shkojë.

Ne të gjithë e kemi ditur, e ka ditur edhe BE-ja dhe SHBA-ja, se cila është hapësira manovruese e Hashim Thaçit në takime ndërkombëtare. Ky ka qenë i prirë për qëndrime fillestare radikale, intervista të serta në RTK, kryesisht para gazetarëve të tij të preferuar, për t’i zbutur ato në përballjen e parë serioze. Thaçi, në ekuacion vazhdimisht e ka pasur fatin e tij politik, të natyrës: ku jam unë personalisht nëse nuk lëshoj pe, ose nëse lëshoj pe. Një kalkulim i tillë vazhdimisht ia ka errësuar pamjen. Në anën tjetër, pasardhësi i tij në detyrën e kryeministrit, Isa Mustafa, ishte për ndërkombëtarët, si të themi, një administrator korrekt, pa dhëmbë të mprehtë, por edhe pa ndonjë ambicie personale. Vizitat e tij në takime ndërkombëtare, në samite rajonale, ishin për Mustafën edhe një ditë e radhës e punës. Filozofia e tij ka qenë që gjërat janë të “parapara” dhe për ndryshimin e tyre mund të bëhet pak, ose aspak. Pra, për ish-kryeministrin Mustafa “çfarë ishte shkruar të bëhet, do të bëhet”, sepse ne nuk mund t’i ndryshojmë rrjedhat e fuqishme ndërkombëtare.

Thaçi ishte gjatë gjithë kohës i etur për të marrë vëmendje, për të rënë në sy, për të shkaktuar probleme të cilat më vonë i zgjidhte si një servil i dëgjueshëm, derisa Mustafa ishte e kundërta e tij, një zyrtar i disiplinuar, monoton dhe i parashikueshëm.

Mbrëmë në Bruksel Kosova u përfaqësua nga një format, më së paku që mund ta quajmë, jokonvencional, për të cilin Brukseli, homologët rajonalë jo se jo, nuk e di çfarë letrash mban në dorë.

Haradinaj nuk e ka frikën e Thaçit për fatin e tij personal, nuk është as si Mustafa i ngopur me karrierë politike, prandaj është vështirë i parashikueshëm. Kryeministri aktual nuk mund të frikësohet edhe me një proces për krime të luftës. Një gjë e tillë do të ishte përtej secilës logjikë. Jeta e tij private dhe publike është bërë shoshë nga drejtësia ndërkombëtare. Madje, edhe nëse prokurorët ndërkombëtarë në Tribunalin Special kanë diçka në dosjet e tyre për z. Haradinaj, të gjithë e dinë që ai nuk do të bëjë lëvizje politike, duke pasur në plan të parë fatin personal. Haradinaj edhe nëse bën lëvizje politike joracionale, këtë nuk e bën duke e futur veten në kalkulime. Ai këtë e bën sepse ashtu edhe mendon. Gjithashtu, përparësia e tij në krahasim me pararendësin Mustafa është se fuqinë politike kërcënuese e ka shumë më të madhe. Gjithashtu, për Haradinajn, kjo nuk është edhe një detyrë e radhës. Për të kjo është detyra finale, ndonëse i kurthuar keqas në një koalicion që mund të kërcasë orë e çast.

Mirëpo, gjendja e brishtë politike në vend, mungesa e numrave në Kuvend, nuk duket që atë e pengojnë që të niset për Bruksel jo si person nën hetime, çfarë ishte Thaçi, por si kryeministër i një vendi të izoluar që po kërkon zgjidhje. Ndoshta, mbrëmë ishte hera e parë që Përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e ka pritur një përfaqësues të Kosovës me një kureshtje të shtuar personale, se çfarë temash do të hapen në takim. Për mirë ose për keq, Mogherini nuk ka qenë shumë e sigurt se çfarë qëndrimesh do të pranojë nga Prishtina. Nuk e ka ditur gjithashtu nëse një puthje në faqe me Haradinajn, siç është rasti me Thaçin, do të ndikojë në zbutjen e tij.

Ramush Haradinaj në këtë mënyrë ka arritur ta bëjë Kosovën një faktor me më shumë peshë në Bashkimin Evropian. Përveç si një rast kurioz, kryeministri i Kosovës shihet me një sy krejt më ndryshe edhe nga Beogradi. Këta të fundit, kundër tij, e kanë zbrazur gjithë arsenalin e informatave që e kanë pasur. Ata mund ta quajnë Haradinajn për të 1 miliontën herë si “kriminel” por tashmë një gjë e tillë nuk e ndryshon gjendjen në terren. Haradinaj është kryeministër i Kosovës, ai është realitet i pamohueshëm dhe, për çudinë e të gjithëve, ai gjendet në Bruksel duke e përfaqësuar Kosovën, me ose pa flamurin e vet.

Haradinaj nuk është një pikëpyetje vetëm për Serbinë. Ai është i tillë edhe për Maqedoninë, Malin e Zi, e çfarë është e vërteta edhe për Shqipërinë. Askush nuk mund ta fusë Haradinajn brenda një modeli të caktuar.

Nëse kryeministri i Kosovës nuk e tepron me origjinalitetin e tij, nëse ai nuk shkon shumë larg me destruktivitet, qasja e tij në forumet ndërkombëtare nuk do ta dëmtojë vendin tonë, i cili, dorën në zemër, është shumë problem të dëmtohet më shumë sesa është i dëmtuar.

Me fjalë të tjera, Haradinaj arriti ta marrë vëmendjen e Evropës. Ai në Bruksel nuk është edhe një politikan i radhës nga Ballkani, i cili po shkon atje, kryesisht për nevojat e tij, e pastaj nëse mund ta ndihmojë diçka edhe vendin e tij, pse jo. Haradinaj e mori Qeverinë me shumë peripeci. Për të qëndruar në pozitën e kryeministrit, nënshkroi pothuajse 100 vendime për emërim të zëvendësministrave parazitë, duke u shndërruar në subjekt humori në rrjete sociale.

Një gjë e tillë nuk është domosdoshmërisht negative. Pritjet për suksesin e tij ishin më të ulëtat të mundshme. Të tilla kanë qenë pritjet për të edhe kur kishte mbetur në luftë me një grusht ushtarësh, kur të gjithë të tjerët e kishin braktisur. Prandaj konsistenca, rezistenca, kokëfortësia, shpeshherë iracionaliteti, nuk janë gjë e re për të. Në momente të caktuara kjo gjë i është shpaguar, pas një kohe.

Haradinaj e ka karakterin e një kryengritësi, të cilin asnjëherë nuk mund ta konsiderosh të vdekur, nëse ai vazhdon të marrë frymë. I tillë shkoi edhe në Bruksel.

Nuk ishte atje për të marrë puthje.