“Kryeministrja më e re në botë”, ajo është edhe një grua e përkushtuar ndaj familjes

E publikuar: 09/12/2019 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Finlanda pritet të ketë “kryeministrin më të ri në botë” pasi 34-vjeçarja Sanna Marin u zgjodh si drejtuese e re e partisë Socialdemokrate.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ish-ministrja e Transportit e lindur në Helsinki do të jetë udhëheqësja e tretë e qeverisë femër në vend, pasi ajo mundi rivalin Antti Lindtman për të marrë postin e lartë të qeverisë nga Antti Rinne.

Zonja Marin, deputete që nga viti 2015, më parë ka qenë nënkryetare e partisë dhe do të bëhet “kryeministri më i ri në botë”.

Nëna e vajzës 22 muajshe Emma Amalia Marin me burrin Markus Räikköne – do të udhëheqë një koalicion të qendrës së majtë me katër parti të tjera të cilat drejtohen nga gratë, tre prej të cilave janë nën 35 vjeç.

Dhe ndërkohë, përveç jetës së saj politike, mediat kanë ndarë informata tjera edhe rreth jetës së saj private – përfshirë disa fotografi interesante.

Në këtë drejtim, përveç një fotografie ku shihet duke ngrënë akullore, nëna dhe babai krenar Markus ndanë një fotografi të vajzës së tyre Emma Amalia Marin, kur ajo ishte vetëm katërjavëshe.

Ajo gjithashtu, ndër tjerash ka shpërndarë edhe një fotografi të vogëlushes së saj, Emma, ku shihet duke e ushqyer me gji në shkurt të vitit të kaluar, duke pranuar që vogëlushja e saj ishte aq e uritur sa që ajo dhe burri i saj mezi flinin gjumë.

Zonja Marin, e cila kaloi vitet e saj të adoleshencës duke punuar në një furrë buke, shtoi se nëna e saj ka qenë gjithmonë shumë mbështetëse dhe e bëri atë të besojë se mund të bënte gjithçka që dëshironte.