Kryeministri Ramush Haradinaj vizitoi Akademinë Kosovare për Lidership

E publikuar: 22/11/2017 17:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi Shkollën e Mesme të Ultë “Akademia Kosovare për Lidership” në Mitrovicë, ku u prit nga drejtoresha, Nadine Hennesey dhe stafi menaxherial i akademisë.

Pas një takimi me Drejtoreshën dhe stafin menaxherial të shkollës, kryeministri Haradinaj ka vizituar ambientet e shkollës dhe më pas ka mbajtur një fjalim para nxënësve të kësaj shkolle.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj theksoi se ky projekt është i vlefshëm për Kosovën dhe duhet të merren si shembull edhe nga qendrat tjera.

“Ka fëmijë në klasën 5 dhe 6 që flasin dhe shkruajnë gjuhën angleze në mënyrë perfekte, kanë dije të kurrikulumit të Kosovës dhe të kurrikulumeve të avancuara të Amerikës. Ata dalin sot si lider në çdo aspekt të jetës dhe ky është një shembull i mirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar udhëheqësit e shkollës për punën që kanë bërë dhe për të cilën Kosova mund të jetë krenare.

Kryeministri falënderoi nxënësit për prezencën e tyre, duke thënë se ka mësuar më shumë rreth programeve të tyre, kurrikulës, dhe programeve shumë të avancuara, të cilat do t’ju japin juve privilegjin në krahasim me fëmijët e tjerë te vendit tonë.

“SHBA-të, për neve nuk janë vetëm miq, unë i kam quajtur engjëj. Ishin me neve në kohë të vështira, janë edhe sot, dhe jemi shumë krenarë për këtë lidhshmëri që tani kemi prurje të reja, produkte të reja dhe janë këto aftësi që ju i mësoni”, tha kryeministri.

Kryeministri tha se do të jetë përkrahës i këtyre liderëve të rinj edhe në çështjet ambientale pasi që Kosova ka një zbrazëti rreth kujdesit ndaj mjedisit dhe nevojave mjedisore, duke vlerësuar dhe shprehur besimin se do jenë storie e suksesit dhe kampion të çështjeve mjedisore, në Kosovë.

“Jam i sigurt se do t’i tejkaloni të gjitha sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqoheni, do t’i ndihmoni prindërve tuaj që edhe ata t’i tejkalojnë ato, dhe jo vetëm atë, do t’i ndihmoni vendit tuaj dhe shoqërisë”, tha kryeministri Haradinaj.

Drejtoresha, Nadine Hennesey, tha se ndjehet e nderuar me prezencën e kryeministrit Haradinaj, për çka edhe e falënderoi për vizitën e tij në këtë institucion shkollor.

“Akademia Kosovare për Lidership” është institucion edukativ, i cili ekziston për të përmirësuar dhe avancuar nivelin edukativ të komuniteteve, duke zhvilluar nxënësit të cilët mësojnë, jetojnë, dhe udhëheqin me ekselencë.