Kryeministri nesër përgjigjet për gylenistët

E publikuar: 29/11/2018 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Hetimor Parlamentar, do të mblidhet nesër në orën 11:00, me synim që ta intervistojë presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq.
Muharrem Nitaj, anëtar i Komisionit Hetimor Parlamentar ka treguar për Express se kryeministri Ramush Haradinaj nesër do të jetë i pranishëm.

“ Me aq sa unë jam i informuar, ftesës për raportim te Komisionit, nesër do t’i përgjigjet Kryeministri Haradinaj. Mbledhja është e thirrur për në ora 11:00”, ka thënë Nitaj.

Ai ka treguar se i ftuar për për intervistim është edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Por, Nitaj pët të nuk ka mundur të thotë se a do të shkojë apo jo.

“ Edhe presidenti është i thirrur. Tash nuk mund ta them do te jëtë apo jo ai i pranishëm”.

Komisioni dështoi të hënën ta mbajë këtë mbledhje, meqë as Thaçi e as Haradinaj nuk i ishin përgjigjur ftesës. Nitaj ka treguar se ftesat ndaj tyre ishin bërë pa u planifikuar mirë.

“Kryeministri dhe Presidenti kanë qenë të ftuar te raportojnë në Komision edhe në mbledhjen e javës se kaluar, por mbledhja ka dështuar sepse nuk ishte planifikuar mire dhe e njëjta ishte thirrur pikërisht ne ditën kur Kryeministri Haradinaj ka qenë nikoqir i mbledhjes se dy qeverive qe është mbajtur në të njëjtën ditë në Pejë, ndërkaq Presidenti Thaçi ka qenë në vizite zyrtare ne SHBA”, ka treguar ai.

Mos prezenca e tyre, krijoi edhe përplasje pozitë-opozitë.

Ky komision ka nisur punën në korrik të këtij viti dhe janë të mandatuar që të kryejnë punë deri në mes të dhjetorit për të ndriçuar rastin e dëbimit të shtetasve turq.

Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gylen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.

Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.