Kryeministri i Italisë: Prishtina ta heqë taksën në mënyrë që të vazhdohet dialogu

E publikuar: 06/03/2019 15:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

ryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka thënë se Prishtina duhet ta pezullojë vendimin për taksën dhe të lejojë fillimin e dialogut me Beogradin në Bruksel.

Sipas tij, masat e marra nga Prishtina, nuk dërgojnë askund, duke theksuar se dialogu është rruga e vetme e dy shteteve drejt Bashkimit Evropian.

Ai ndër të tjera ka lavdëruar Serbinë për reagimet që ka bërë, edhe përkundër masave të vendosura nga Prishtina, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Express.

“Unë e përsëris, sipas mendimit tim, vendimet e njëanshme të marra nga Prishtina nuk dërgojnë askund. Mendoj se e vetmja mënyrë për të shpejtuar rrugën drejt dialogut është që të gjitha palët të tregohen të mençur”, ka thënë Conte në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë.

Kërkesa për pezullimin e taksës tash e sa kohë Kosovës i vijnë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është i vendosur që taksa nuk do të hiqet, pa një marrëveshje ku Serbia njeh pavarësinë e Kosovës.