Hoti falënderoi stafin shëndetësor për punën e palodhshme në përballje me pandeminë COVID 19

E publikuar: 04/06/2020 17:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, vizitoi Ministrinë e Shëndetësisë, ku u prit nga ministri Armend Zemaj me bashkëpunëtorë.

Kryeministri Hoti, pas takimit me ministrin Zemaj, zhvilloi një takim edhe me drejtorët e institucioneve vartëse dhe udhëheqësit e departamenteve në këtë ministri. Gjithashtu, kryeministri Hoti vizitoi linjën e ndihmës psikologjike për COVID 19, si dhe Qendrën operative emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryeministri Hoti tha se vizitën e parë në dikastere të Qeverisë e kishte në Ministrinë e Shëndetësisë, për të treguar se mbeten të përkushtuar për situatën në të cilën po kalon vendi ynë.

“Takuam ekipin që gjatë gjithë kësaj periudhe, gjatë këtyre muajve ka qenë në krye të detyrës. I falënderova sinqerisht për punën që kanë bërë. Na informuan për ato që na presin në javët e ardhshme. Drejtori na informoi në detaje se si është menaxhuar situata deri më tash, si janë shifrat e qytetarëve të prekur nga kjo pandemi. Po lutemi që ta kalojmë sa më lehtë dhe po duket se jemi duke e kaluar lehtë”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti, gjatë këtij takimi, kërkoi nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani dhe nga ministri Zemaj që të mbajnë lart vetëdijen e qytetarëve derisa përfundimisht të kalohet kjo gjendje.

“Ashtu siç e kam prezantuar në seancën e Kuvendit dhe siç e kemi në programin qeverisës, ne kemi një plan mjaft të zhvilluar për përballje afatgjate me këtë pandemi, e cila mundëson që, ndërkohë që hapen gradualisht shoqëritë, bizneset, arsimi dhe institucionet, në të njëjtën kohë të ndërmarrim masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit. Atë që drejtori i Institutit vazhdimisht e ka thënë që të mos i japim virusit këmbë që të shkojë nga një person te personi tjetër, duke ndërtuar një rrjetë të institucioneve shëndetësore nga niveli terciar deri në nivelin primar publik dhe privat, duke e fuqizuar në veçanti stafin shëndetësor që janë përballja e parë me rastet potenciale”, theksoi Kryeministri Hoti.

Më tej, ai pohoi se në ditët e ardhshme do të ketë takime shumë intensive për të miratuar një plan më afatgjatë për t’u përballur me këtë pandemi.

Po ashtu, Kryeministri Hoti ka ngushëlluar familjet e personave të prekur nga kjo pandemi, derisa u ka uruar shërim atyre që janë në trajtim e sipër dhe ka falënderuar gjithë stafin mjekësor, stafin mbështetës dhe gjitha strukturat për punën kolosale që kanë bërë gjatë 2-3 muajve të fundit në përballje me këtë pandemi.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pasi falënderoi Kryeministrin Hoti për vizitën, tha se do të punojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në interes të publikut dhe mbi të gjitha të ruajtjes së shëndetit publik dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe të avancojmë sistemin shëndetësor në vend.

Ndërsa, drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, dr. Naser Ramadani, tha se situata epidemiologjike është nën kontroll dhe e qëndrueshme, por që nuk lë vend për vetëkënaqësi, përkundrazi do të ketë angazhim të shtuar duke pasur parasysh se tani ka ndodhur faza e tretë e lehtësimeve./Infosot/