Kryeministri Haradinaj takoi përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare

E publikuar: 25/11/2017 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, të udhëhequr nga kryetari Nazar Mehmeti, dhe kryetari i nderit, Lazim Destani, si dhe përfaqësues të tjerë të bizneseve nga diaspora të cilët e përgëzuan atë për përgjegjësitë e reja.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ka përgëzuar përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës për kontributin e tyre dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.

Kryeministri Haradinaj, theksoi përkushtimin e qeverisë për krijimin e lehtësirave fiskale për të gjithë investitorë nga diaspora që dëshirojnë të sjellin investimet e tyre në Kosovë, duke thënë se Qeveria do të jetë partnere në punën e tyre dhe në të gjitha sfidat e përbashkëta, si në rend dhe ligj dhe luftën kundër korrupsionit.

Ndërkaq, kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti falënderoi kryeministri Haradinaj për pritje, duke shprehur përkushtimin e tyre që maksimalisht të angazhohen në zhvillimin ekonomik të vendit.

Po ashtu, Mehmeti tha se diaspora shqiptare si gjithherë është e gatshme të ndihmojë shtetin e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euro atlantike.