Kryeministri Haradinaj: Renditja e Kosovës në vendin e 40-të në të bërit biznes lajm i mirë për vendin

E publikuar: 31/10/2017 19:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lajm shumë të mirë për vendin, rangimin e Kosovës nga pozita e 61-të, në pozitën e 40-të, sipas Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2018.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka shënuar progres në të bërit biznes, është ngritur në rangim, në bazë të studimit të Bankës Botërore dhe në bazë të dhënave që dalin nga ky studim.

“Kjo punë e mirë, në radhë të parë është punë e mirë e Task Forcës të të Bërit Biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por njëkohësisht për një rezultat të tillë kemi marrë ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme përmes ekspertizës të Bankës Botërore dhe USAID-it”, tha kryeministri Haradinaj në një konferencë për medie.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani e cilësoi këtë si një lajm shumë të mirë duke, theksuar se janë në përfundim të procedimit të Ligjit për Investime Strategjike, i cili së bashku më këtë raport i ofron mundësi Kosovës që të shihet më ndryshe nga investitorët e jashtëm.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, dhe drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, thanë se ndihen të kënaqur që po e ndajnë këtë lajm të mirë për Kosovën në fushën e të bërit biznes, duke e cilësuar moment të rëndësishëm shënimin e progresit drejt rritjes dhe zhvillimit më të madh ekonomik në Kosovë. Ata theksuan se lëvizja për 20 vende në të bërit biznes të Bankës Botërore është e arritur e madhe dhe reflekton punën e madhe të Qeverisë.

Drejtor i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, njëherësh udhëheqës i Task Forcës për të Bërit Biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmend Mejzini, numëroi disa nga indikatorët që kanë ndikuar në rangimin më të mirë të Kosovës dhe në krijimin e ambientit më të favorshëm për të bërit biznes, e që janë: fillimi i biznesit; marrja e kredive dhe mbyllja e biznesit.

Sipas këtij raporti Kosova është njohur si shteti i katërt më i reformuar në botë gjatë këtij viti.