Kryeministri Haradinaj organizoi pritje me rastin e Ditës së Falënderimeve

E publikuar: 22/11/2017 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka organizuar një pritje për gjithë stafin amerikanë që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë, me rastin e Ditës së Falënderimeve.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ua uroj Ditën e Falënderimeve gjithë të pranishmëve, duke theksuar se Kosova është vend i ri, por që e vlerëson lartë familjen dhe shoqërinë.

“Jemi shumë mirënjohës qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët shërbejnë në Kosovë. Jeni nën presion çdo ditë, punoni shumë, dhe nganjëherë harrojmë të jemi falënderues. Ky është një moment i mirë dhe jam i lumtur që së bashku sot mund të ndjehemi si familje, sepse këto janë ndjenjat tona”, tha kryeministri Haradinaj, duke u dëshiruar gjithë të mirat stafit amerikanë që shërbejnë në Kosovë
dhe familjeve të tyre në SHBA.

Ndërkaq, James Hope, shefi i Misionit të USAID-it në Kosovë, falënderoi kryeministrin për pritje, duke theksuar se Dita e Falënderimeve është një festë në Amerikë, festë kjo në të cilën kalon kohë me familje dhe shoqëri.

“Kjo ma kujton Kosovën dhe familja është shumë e rëndësishme. Nuk do të mund të paramendoja një vend më të mirë në Kosovë për të kaluar Ditën e Falënderimeve sesa këtu në këtë vend shumë të ngrohtë”, tha Hope.