Kryeministri Haradinaj: Mirënjohës për kontributin e komunitetit Ashkali në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit

E publikuar: 13/02/2019 12:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Flamurit të Komunitetit Ashkali, të organizuar nga  Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se arsyeja që i ka bërë bashkë është se, më 15 shkurt është Dita e Flamurit të Komunitetit Ashkali, duke vlerësuar se këtë ditë e kanë kthyer në festë të përbashkët, traditë ku festohet së bashku.

“Unë jam shumë i gëzuar që shtëpia e qytetarëve të Kosovës, në këtë rast Qeveria e Kosovës, është vendi ku bashkohemi kaq shumë dhe me kaq dashuri për të shprehur respektin për komunitetin Ashkali në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj,duke shtuar se komuniteti Ashkali është një prej komuniteteve më të vjetra në Kosovë dhe se çdoherë ka qenë bashkë me të tjerët me shqiptarët, serbët, turqit, romët, egjiptasë, goranë, boshnjakë.

Më tej, kryeministri Haradinaj shtoi se është mirënjohës për kontributin e këtij komuniteti si në procesin e lirisë dhe tani në atë të shtetndërtimit. Duke vlerësuar se pritjet e këtij komuniteti janë më të mëdha, kryeministri Haradinaj premtoi se bashkë me deputetët e këtij komuniteti dhe zëvendësministrat do të bëjnë punë të mira, që t’i gëzojnë të drejtat që i kanë me kushtetutë dhe me ligj, por edhe në rritjen e mirëqenies ekonomike, sociale dhe kulturore.

Ndërsa, deputeti Etem Arifi pasi uroi të gjithë popullin Ashkali në Kosovë dhe diasporë për Ditën e Flamurit Kombëtar, vlerësoi se janë mirënjohës ndaj UÇK-së, bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, ShBA-së dhe NATO-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke thënë se ndihen krenar që janë disa deputetë nga ky komunitet që kanë nënshkruar deklaratën e pavarësisë. “Kjo festë e Ashkalinjve të Kosovës i gjen me mbështetje institucionale dhe me përkrahje të atyre që kanë nevojë, kanë arsim më të mirë, banim më të mirë dhe kanë jetë më të mirë krahasuar me gjendjen e mëhershme”, tha deputeti Arifi, duke kërkuar nga kryeministri Haradinaj mbështetjen e tij edhe në të ardhmen për këtë komunitet.

Edhe deputeti, Danush Ademi tha se janë falënderues ndaj kryeministrit Haradinaj për përkrahjen e këtij komuniteti në rregullimin e infrastrukturës dhe shtëpi më të ngrohta. Më tej deputeti Ademi vlerësoi se janë mbi 10 mijë nxënës që ndjekin mësimet nga ky komunitet, ka pjesëtarë që shërbejnë në ushtrinë e Kosovës, duke thënë se do të jenë përkrahës të të gjitha proceseve në Kosovë.