Kryeministri Haradinaj kërkon thellimin e bashkëpunimit me institucione financiare

E publikuar: 03/11/2017 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takim pune në Ministrinë e Financave, ku është pritur nga ministri, Bedri Hamza, ndërsa ka takuar edhe drejtorët e departamenteve dhe të zyrave të kësaj ministrie.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj vlerësoi përmbushjen e punëve të Ministrisë së Financave me përgjegjësi dhe në kohë, duke nisur nga rishikimi i buxhetit, hartimi i buxhetit të vitit 2018, puna në agjendën legjislative, gjithnjë duke u kujdesur për të gjitha kategoritë ekonomike në vend, shkruan infosot.

“Lajm i mirë për Kosovën është buxheti për vitin që vjen, që është një buxhet që e garanton stabilitetin financiar në vend. Është një buxhet që poashtu siguron edhe rritjen ekonomike, edhe rritjen e pagave. Jemi të interesuar që në planet tona për vitin që vjen dhe në vitet në perspektivë, të thellojmë bashkëpunimin me institucione të ndryshme financiare, pra të marrim kredi të buta, hua, që janë të dobishme për projekte të ndryshme që janë me rëndësi për vendin, në mënyrë që klima investive në vend të jetë e mirë” theksoi kryeministri.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, përmendi skemat e reja që do të mbështeten me buxhetin për vitin 2018. Sipas tij, rritja e pagave do të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rritjen ekonomike, dhe do të filloj nga një janari i vitit të ardhshëm.

“Përveç rritjes së pagave, i kemi trajtuar edhe kategoritë tjera sociale. Për vitin e ardhshëm e kemi planifikuar rritjen për 20 për qind për të gjitha familjet që janë në asistentë sociale. Ne jemi duke punuar shumë që të ketë sa më pak familje në këtë skemë, që të jenë të punësuar dhe të realizojnë paga, mirëpo ne kemi vlerësuar që kjo familje me vite të tëra nuk ka pas ngritje, dhe është një familje që kërkon kujdes, andaj 26 mijë familje në Kosovë nga një janari do të marrin përfitimet e tyre, me një rritje prej 20 për qind” theksoi ministri Hamza.

Ministri Hamza njoftoi edhe për përfshirjen në buxhetin e vitit 2018 të tri skemave të reja sociale, skema për të pa-aftësuar në vendin e punës për pensionin familjar, për pagesën e mbështetjes financiare për qytetarët paraplegjik dhe kujdestarëve të tyre, si dhe për mbështetjen financiare për viktimat e dhunës seksuale të luftës.