Kryeministri Haradinaj i reagon keq zhytësit Ismail Kasumi

E publikuar: 02/05/2018 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e i ka reaguar keq zhytësit Ismail Kasumi, i cili gjatë ditës së djeshme ka dhënë deklaratë të ndryshme mbi kërkimet që po bëhen për policët e zhdukur në Lepenc. Haradinaj i ka thënë Kasumit që mos të bëjë presion në punën që po bëhet.
“I kisha bërë të fala një zhytësi që po e quan vetën maestro, e kish lutur mos t’iu bëjë presion këtyre djemve nga të nxehtit atje”, tha Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se krejt jemi të pakënaqur që s’i kemi gjetur dy policët. Po krejt çka ka Kosova në dorë jemi duke e bërë me ushtri, me polici, me zhytës.

“Po dominon vlerësimi se duhet te rikthehemi për kërkim. Me këta ujë të rrëmbyeshëm ekziston mundësia e nxjerrjes së trupave jashtë Kosovës”.

Zhytësi Ismail Kasumi, ka konfirmuar dje për Express se ka marrë ftesë nga Policia e Kosovës dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, për të marrë pjesë në kërkimet që po bëhen në lumin Lepenc, aty ku dyshohet se kanë rënë dy policët e Kosovës.

“Nesër do të marr pjesë në kërkime, pas ftesës që e mora nga Policia e Kosovës dhe kryetari i Komunës”, ka thënë Kasumi për Express.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ujërat e rrëmbyeshëm të lumit Lepenc të kenë marrë trupat e dy policëve të zhdukur jashtë territorit të vendit tonë, ndërsa tha se Policia e Kosovës ka bërë një analizë të rastit, por i cili ende nuk është për publikun.