Kryeministri Haradinaj: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figurë e fuqishme që na lidh me Perëndimin

E publikuar: 17/10/2018 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Është ndjenjë e posaçme të ju pres sot, këtu për t’iu falënderuar për punën e veçantë që keni bërë në portretizimin e figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, përmes veprave që keni shkruar dhe keni koleksionuar. Puna juaj është nder i madh për shqiptarët”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit.

Ky delegacion ishte pjesëmarrës në Konferencën e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në kuadër të vitit mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Grumbullimi i veprave për luftën dhe historinë e Skënderbeut është gjest për t’u përshëndetur dhe populli shqiptar do të jetë falënderues për këtë gjest”, tha Haradinaj, duke e falënderuar në veçanti Patricia Nugee, e cila ka mbledhur 37 libra kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, përgjatë periudhave të ndryshme, nga vende të ndryshme të Evropës, duke i blerë librat përmes financave vetanake për heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Nga ana tjetër, Nugee dhe delegacioni i shkencëtarëve nga Hungaria, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen që ua bëri, duke thënë se Kosova është në rrugën e duhur dhe u shprehën mirënjohës për angazhimin konkret veçmas në fushën e Albanologjisë.

Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe Ambasadori i Hungarisë në Prishtinë Laszlo Markuzs dhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova. /Infosot/