Kryekuvendari Konjufca priti në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pija Stjernvall

E publikuar: 28/04/2021 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë,Pija Stjernvall, e cila e ka uruar për detyrën e re në krye të Kuvendit dhe për konstituimin e institucioneve të vendit, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ambasadorja Stjernvall po ashtu i vlerësoi shumë të dobishme marrëdhëniet e deritashme në mes të dy vendeve, duke konfirmuar gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të shtetit të saj me Republikën e Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për ballafaqimin me pandeminë, si prioritet kryesor i institucioneve tona shtetërore, si dhe mbështetjen e domosdoshme rreth sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë.

Kryekuvendari Konjufca e falënderoi ambasadoren Stjernvall për mbështetjen e Finlandës ndaj shtetit tonë në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe.​