Kryediplomati rus do kërkim falje nga NATO’ja për bombardimet e 99’s

E publikuar: 18/04/2019 20:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka pritur sot në takim homologun e tij serb, Ivica Daçiq.

Lavrov edhe një herë potencoi përkushtimin e të dy shteteve në marrëdhëniet bilaterale në të gjitha çështjet që bazohen në Deklaratën për Partneritetit Strategjik, të nënshkruar nga presidentët e të dy vendeve në vitin 2013.

“Rusia mbështet politikën e jashtme të pavarur të Beogradit. Ne respektojmë politikën neutrale të ushtrisë që kontribuon në paqen dhe stabilitetin e Evropës”, ka deklaruar Lavrov pas takimit.

Ai gjithashtu ka vlerësuar pjesëmarrjen e Serbisë në manovrat e përbashkëta ushtarake të dy shteteve si dhe Bjellorusisë, që ndryshe quhen ushtrimet e Vëllazërisë Sllave.

Në deklaratën e tij para mediave, nuk kishte si të mungonte edhe komenti rreth Rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të bashkuara për Kosovën.

Ai riafirmoi se Rusia vazhdon të e përkrahë Serbinë rreth implementimit të plotë të këtij instrumenti të Këshillit të Sigurimit në territorin e Kosovës.

“Para 20 vjetëve ishim dëshmitarë të bombardimeve të NATO’s ndaj Jugosllavisë për dy muaj e gjysmë, pa një mandat nga OKB’ja. Ne kemi parë se NATO’ja ka mbuluar krimet e kryera nga e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe liderët e saj”, ka thënë ministri rus i Punëve të Jashtme, duke iu referuar raportit të zviceranit Dick Marty, i cili akuzon liderët e UÇK’së për rrëmbime dhe trafikim organesh.

“Vetëm shikoni qëndrimin e perëndimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Çka thanë liderët e NATO’s në 20 vjetorin e bombardimeve ndaj Serbisë? Ata po thonë që kishin të drejtë, dhe se sollën demokraci dhe liri tek ata që ishin të shtypur. Por ata nuk po kërkojnë falje për sulmet mbi civilët në Beograd, apo për shkatërrimin e urave derisa treni me civilë po kalonte përmbi të. Ata nuk kanë ndërgjegje, dhe ky është qëndrimi i tyre”, ka thënë Lavrov, kur u pyet për marrëdhëniet e shtetit serb me shtetet perëndimore.

“Një gjykatë është krijuar formalisht për hetimin e këtyre krimeve, por nuk e di pse po vonon të fillojë punën e saj, pasi që të gjitha faktet e nevojshme janë të gatshme që hetimet të fillojnë”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë.

Pas takimit, Lavrov gjithashtu përmendi taksën 100% dhe “presionin e jashtëzakonshëm”, siç e quan ai, ndaj minoritetit serb në Kosovë. Ai kërkoi nga Uashingtoni dhe Brukseli që të detyrojnë Prishtinën të largojë taksën, si dhe të ndalojë shqiptarët që të mos përdorin politika provokuese që dërgojnë në konfrontim. /Express/