Kroacia, avokate e Kosovës në Bruksel

E publikuar: 08/04/2015 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Pas takimit me presidenten kroate Grabar-Kitaroviq, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar edhe kryeparlamentarin kroat Josip Leko, me të cilin bashkëbisedoi për thellimin e bashkëpunimit në sferën parlamentare.
Kryeparlamentari Leko ka thënë se Kroacia ka qenë dhe mbetet promotorë e fuqishme e liberalizimit të vizave dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. “Deputetët tanë në Parlamentin Evropian e kanë mbajtur gjithmonë lartë në agjendën tonë çështjen e Kosovës. Do të vazhdojmë të jemi avokat të Kosovës në Bruksel”, ka thënë kryeparlamentari i shtetit kroat, Josip Leko.
Ndërsa zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova vazhdon ta fuqizojë subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. “Ne së shpejti presim ta nënshkruajmë MSA-në me BE-në, e cila do të jetë ndihmesë e madhe në përmbylljen e kapitullit të konsolidimit të jashtëm të Kosovës, sepse do të shërbente edhe si një sinjal i mirë për të gjitha ato shtete që ende nuk na kanë njohur. Kroacia për ne ishte partnere shumë e rëndësishme në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit dhe e çmojmë shumë përkrahjen e deritashme, por llogarisim ende në përkrahjen tuaj parlamentare, sidomos në lobim te shtetet që nuk na njohin dhe në anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi. Që nga korriku i vitit 2013, Kroacia është bërë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe roli i saj për Kosovën ishte i dyfishtë. Përveç që ishte partnere e hershme strategjike e Kosovës, Kroacia tashmë është bërë edhe një vend brenda BE-së me politikë përkrahëse për integrimin e Kosovës.