Kriza politike po i “shterrë” partitë shqiptare!

E publikuar: 02/06/2015 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Maqedonia po tronditet me krizën më të madhe politike gjatë 20 viteve pavarësi. Për herë të parë një kryeministër i vendit siç është Gruevski akuzohet se ka pasur dijeni dhe ka bashkëpunuar me ministrat Stavreski, Janakievski, Jankullovska dhe të tjerë në krim, korrupsion dhe fshehje të dëshmive në vrasje, shkruan Zhurnal.

Më shumë se një vit opozita maqedonase e ka braktisur Parlamentin ndërsa para tre muajve filloi projektin e quajtru “E vërteta për Maqedoninë” që është kryekëput për të zbardhur skandalet e pushtetit të kontrolluara nga VMRO-DPMNE gjatë nëntë viteve të fundit.

Për shkak të kësaj situate dhe rastit të Kumanovës ku një grup kosovar u përleshën me policinë maqedonase alarmoi edhe bashkësinë ndërkombëtare. Diplomacia e Brukselit zyrtar është e vendosur kryekëput që ta tejkalojë krizën e thellë politike dhe hendekut mes pushtetit dhe opozitës në vend.

Mirëpo, partitë shqiptare gjatë gjithë këtyre bisedimeve nuk arritën të pozicionohen aspak dhe të parashtrojnë kërkesat e tyre të cilat me vite i prezantojnë vetëm në tubime dhe debate televizive.

Analistët për Zhurnal janë të mendimit se premtimet e partive shqiptare janë vetëm sezonale ndërsa në këtë fazë të bisedimeve partitë shqiptare duhet të këmbëngulin që buxheti i shtetit të miratohet me Badenter, të zyrtarizohet gjuha shqipe në tërë territorin e shtetit, të departizohen gjykatat, policia dhe administrata, si dhe njëherë e përgjithmonë Maqedonia të shndërrohet një shtet me një njësi zgjedhore ku shqiptarët do të fitonin më shumë se 35 deputetë.

“Ndiej obligim moral si intelektual dhe si shqiptar të them se problemi në Maqedoni nuk është vetëm mes pozitës dhe opozitës maqedonase, por ekziston një çështje, ajo është çështja shqiptare e cila nuk është realizuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët në Maqedoni është mirë të zgjohen dhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre në mënyrë demokratike e jo të mbeten peng edhe në të ardhmen”, thotë analisti politik, Arsim Sinani.

Mirëpo, fatkeqësisht partitë shqiptare janë shndërruar në vëzhgues pasiv dhe nuk kërkojnë asgjë nga platforma e tyre politike. /zhurnal/