Kriza në Iran, Merkel takohet me Putinin

E publikuar: 11/01/2020 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë të shtunën në mes të përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Vizita e saj – e para në Rusi që nga maji i vitit 2018 – vjen kur Irani pranoi se ka rrëzuar aksidentalisht një aeroplan pasagjerësh ukrainas menjëherë pas fluturimit të tij nga Teherani, duke vrarë 176 pasagjerë dhe ekuipazhin, transmeton Telegrafi.

Irani dhe Libia pritet të jenë pikat kryesore të diskutimit midis liderëve, pasi Putini ka ndikim të fortë në të dy vendet.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell paralajmëroi një përshkallëzim të dhunës në Libi në fillim të kësaj jave pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE.

Putini u takua me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për të bërë thirrje për armëpushim në Libi, ku një krizë po vazhdon pasi një kryengritje e mbështetur nga NATO në 2011 çoi në vdekjen e diktatorit Muammar Gaddafi.

Ky përshkallëzim i fundit është një nga “arsyet kryesore” për takimin Merkel-Putin, konfirmoi Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

Udhëheqësit evropianë po punojnë gjithashtu për të shpëtuar Marrëveshjen Bërthamore të Iranit 2015, për të cilën Rusia është gjithashtu një nënshkruese.

“Në sytë e Merkel, Putin është një person që ka kontakte të drejtpërdrejta me udhëheqjen iraniane dhe mund të ndikojë disi në vendimet e tyre. Në sfondin e Trump, ai duket si një politikan i përgjegjshëm”, tha analisti politik rus Aleksandr Golts.

Duke iu drejtuar Putinit, ajo tha: “Unë dëshiroj t’ju falënderoj që kemi një mundësi të tillë, sepse të flasim me njëri-tjetrin është gjithmonë më mirë sesa të flasim për njëri-tjetrin”.