Kritikohet kërcënimi për censurë i faqeve të internetit

E publikuar: 21/10/2018 01:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias Harlem Désir kritikoi kërcënimin që Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) kundër 44 faqeve të internetit si një lëvizje që kufizon median e pavarur.


Në një deklaratë për shtyp, Désir kërkoi nga AKEP të shpjegojë se mbi çfarë kriteresh dhe çfarë baze ligjore e ka hartuar listën.

“Shtetet [anëtare] nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyruar të medias në internet si parakusht për lirinë e tyre sepse kjo mund të ketë pasoja negative në lirinë e medias,” tha Désir.


“Kjo praktikë, nëse zbatohet, mund të kufizojë shumë aksesin e publikut te burimet e larmishme të informacionit, pluralizmin e zërave dhe të gërryejë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informimit online,” shtoi ai.

Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut “Civil Rights Defenders” e kritikoi gjithashtu qeverinë duke e konsideruar kërcënimin “një vendim që seriozisht dhunon lirinë e fjalës dhe rrit ndërhyrjen e qeverisë kundër një numri të vogël mediumesh që janë ende të lira”.

“Në listën e portaleve të lajmeve që ndodhen nën kërcënimin e mbylljes, përfshihen edhe disa nga portalet e vetme të pavaruara apo investigative në vend, të cilat kanë bërë transparente se kujt i përkasin,” deklaroi Vasilika Laçi, drejtore programi për Shqipërinë në këtë organizatë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri kërcënim të papërcaktuar në një postim në Twitter javën e kaluar, duke pretenduar se po niste një fushatë antishpifje, pjesë e të cilës ishte ajo që e quajti “legalizim të portaleve”. Ai dha një ultimatum “deri të hënën” për portalet që të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Të hënën, AKEP, i cili ligjërisht duhet të jetë i pavarur nga qeveria, publikoi një listë me 44 faqe, duke pretenduar se do t’i mbyllte ato nëse nuk regjistroheshin në autoritetet fiskale dhe nuk publikonin numrin e tyre fiskal. Ajo dha një afat 72 orësh.

Pas njoftimit të AKEP, shumica e faqeve të internetit të përfshira në listë e konsideruan deklaratën shpifje duke shtuar se ata janë të regjistruar pranë autoriteteve fiskale si biznese ose si organizata jofitimprurëse. Disa nga faqet e internetit në listë i përkasin mediave në Kosovë, Maqedoni apo vende të tjera. Edhe publikimi i BIRN Albania, Reporter.al, është përfshirë gjithashtu në listë. BIRN deklaroi se kërcënimi dhe kërkesa e AKEP ishte e paligjshme dhe si e tillë, nuk do të pranohet.

Megjithëse AKEP është zyrtarisht i pavarur, kreu i saj aktual, Ilir Zela është një ish-deputet socialist dhe funksionar aktual i Partisë Socialiste.

Ai nuk ka shpjeguar se si u hartua kjo listë faqesh interneti dhe se si ai e ka verifikuar statusin e tyre fiskal para publikimit të listës. OSBE në deklaratën e saj theksoi se kërkonte nga qeveria një shpjegim të qartë mbi këtë.

“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir. Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

Të enjten në mëngjes, kur afati 72 orësh përfundoi, asnjë nga faqet e internetit “në listën e zezë” nuk ishte bllokuar. Në një njoftim për shtyp, AKEP pretendoi se shumica e tyre “janë bindur” me kërkesën ndërsa vijoi kërcënimin për mbyllje të pjesës tjetër. /Reporter.al