Krijimi i “Gjykatës Speciale” parakusht për nënshkrimin e marrëveshjeve të brukselit

E publikuar: 24/06/2015 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Petrit Gashi
Edhe pse transparenca për marrëveshjet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë mungon në opinionin kosovare duke i lënë hapësirë opinionisteve, gazetareve dhe të gjithë personave të tjerë të japin versione të ndryshme mbi progresin apo regresin e këtyre bisedimeve, dita e djeshme edhepse me gabime të mëdha e hodhi në shesh tërë të vërteten mbi atë se çka po ndodhë në bisedimet Kosovë-Serbi.
Delegacioni i sterngarkuar Kosovarë ( me shumë se 30 persona) nuk arriti që të marrë një “foto historike” më homologët e tyre serb me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes tredimensionalë, sepse pala serbe nuk ishte e sigurte për premtimin e Prishtinës me rastin e krijimit të “Gjykatës Speciale”. Ndonëse në opinionin tone nuk është thënë asnjëherë së që në rastin e ballafaqimit të parë në bisedime “Gjykata Speciale” ishte në tavolinë, tash u kuptua se ajo ishte një prej parakushteve më të rëndësishme për vazhdimin e bisedimeve.
I gjithë ai presion i madh nga faktori qeverisës vendor për ta gjykuar luftën e UÇK-së, dhe vazhdimi i këtij presioni edhe me kërcënime ndërkombëtare duku aluduar në formim të kësaj gjykate nga OKB-ja, nuk ishte asgjë tjetër pos një premtim si parakushte për bisedime të ish-Kryeministrit të Kosovës për të gjykuar luftën e UÇK-së. Tendenca se gjoja raporti i Kryeprokurori amerikan, Clint Willimasen lidhur me pretendimet e Dick Martyt për trafikim organesh nga UÇK i paraprinë një themelimi të një Gjykate Speciale po del të mos jetë i vërtete, sepse kompetencat e kësaj gjykate po tejkalojnë kompetencat për gjykimet e këtij rasti. Madje aty janë të shtuara raste të paparashikuara dhe njëkohësisht duke krijuar edhe raste të veçanta të gjykimit të subjekteve të caktuara, në këtë rast të implikuar nga UÇK-ja.
Takimi i djeshëm shpërfaqi anën më të errët të delegacionit të Kosovës që përkundër mos-transparencës kundër qytetareve të vetë dhe shpenzimit të pa-limit të buxhetit të shtetit për të bërë safie me homologet serb, nuk arritën t’i bindnin për të nënshkruar marrëveshje në një moment që pothuajse e gjithë Evropa priste përfundimin e këtij kapitulli, dhe kjo për faktin se delegacioni serb ende nuk ishte i sigurte për themelimin e “Gjykatës Speciale”.
Kompromisi mbi sovranitetin e vendit, pasuritë natyrore të Kosovës, subjektivitetin e saj evropian dhe ndërkombëtar fshehurazi nga opinioni publik, të cilët liderët kosovarë në pushtet i bërën kompromis me historinë ( në këtë rast të UÇK-së) vetëm e vetëm për tu dukur si tolerant, paqedashës, e demokrat në një kohë kur kishin dështuar në qeverisjen e brendshme nuk është asgjë tjetër pos dështimit të radhës të pas-Pavarësisë se vendit.
Tani që pa dashjen e qytetareve po themelohet “Gjykata Speciale” për dënimin e luftës se UÇK-së, duke lërë më njërën ane në harresë krimin e organizuar, korrupsionin dhe zhvillimin e dobët ekonomik, duke anashkaluar problemet sociale, kulturore ndërkufitare etj, shoqëria kosovare po goditët në pikën me të dobët të saj në mënyrë që të harrohet gjithë ai dështim tash e 16 vite dhe duke e kthyer Kosovën në vitin 1999.
E keqja me e madhe e Kosovës ndoshta nuk do vije nga “Gjykata Speciale” ( edhepse nuk mundemi të paragjykojmë), por kjo e keqe është mes njerëzve që e qeverisin këtë vend dhe e drejtojnë drejtë regresit ekonomik, kulturor e historik. Kosova kurrë nuk duhej të kishte bërë kompromise me historinë e saj, me sovranitetin e saj dhe me krijesën e cila ishte e vetmja në Ballkan e cila kishte legjitimitet vendor dhe ndërkombëtar siç ishte UÇK-ja, në një kohë të cilën vendi kishte probleme dhe sfida me të mëdha .
Sidoqoftë edhe përkundër reagimeve që do pasojnë në ditët në vijim, Gjykata do të formohet, sepse veç tjerash ishte një premtim qysh në fillim të këtyre negociatave, dhe në këtë rast BE-ja e as palët tjera të involvuara në këto bisedime nuk do të lejojnë që gjithë ky investim të bijë në ujë. Ndërsa shteti i Kosovës në anën tjetër po cungohet në elementet qenësorë të saj qoftë historike, politike, shoqërore dhe të sovranitetit të tij pa u vrenjtur dhe pa u bërë zhurme, sepse politika kosovare dhe gjithë shoqëria ka futur veshët në lesh duke fjetur dhe duke aluduar me mosdijen se çka po ndodhë në vend.

(Autori – Studiues i çështjeve evropiane dhe politikave të BE-së)