Kreut të LDK-së mund t’ia mësyjë dikush me mbiemrin Rugova

E publikuar: 07/04/2019 16:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë në procesin e zgjedhjeve të brendshme. Deri më tani jozyrtarisht ambicie për të parin e partisë kanë shprehur shumë anëtarë të saj nga garda e vjetër dhe e reja, por pak nga ta janë shprehur publikisht se e duan karrigen e Isa Mustafës. Lutfi Haziri është njëri ndër ta. E, nënkryetari i moçëm i partisë Haki Rugova në një bisedë për Gazetën Express nuk e ka përjashtuar as veten nga kjo garë.

Tashmë kanë filluar zgjedhjet e brendshme në partinë më të madhe opozitare në vend. Kryetari aktual i LDK-së i cili ende nuk ka kontretizuar nëse e do edhe një mandat, Isa Mustafa, ka potencuar se zgjedhjet po zhvillohen në frymë demokratike.

Por fokusi i këtyre zgjedhjeve ka rënë te personat që do t’i hyjnë garës për kryetar të partisë. Nënkryetarët e partisë po flasin me rezerva kur po pyeten se a do të shpallin kandidaturën.

Një përgjigje të tillë e dha sot Haki Rugova.

“Derisa nuk përjashtohet mundësia për askënd, të gjithë e kanë të drejtën të kandidojnë”, tha Rugova të dielën për Gazetën Express.

Shtoi se nuk ka di se kush tjetër do t’i hyjë kësaj gare. Madje i pytur nëse ka dijeni se ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu mund edhe të fitojë edhe një tjetër mandat.

Rugova u përgjigj:

“Njerëz të dëshmuar ka.. kësaj pyetje i përgjigjem pas procesit të parë”.

Ndryshe, Rugova shtoi se procesi i parë i zgjedhjeve të brendshme në LDK pritet të përfundojë në fund të muajit maj pastaj do të organizohet kuvendi qendror.

Rugova shpreson që pasi të vijë momenti i shkuarjes në zgjedhje të reja nacionale, LDK të dalë fitimtare dhe të formojë qeverinë.

“Jam i interesuar që partia të ecë përpara pavarësisht kush do të jetë në krye të saj…LDK po del e para, pretendojmë që LDK në zgjedhjet e ardhshme të jetë e para dhe ta formojë qeverinë”, përfundoi Rugova.

Ndryshe, së fundmi Albin Kurti i Vetëvendosjes është duke organizuar një protestë për rrëzimin e qeverisë e titulluar “PANhajnia”, por të njejtës nuk do t’i bashkohet LDK-ja.

Vetë nënkryetari i LDK-së Agim Veliu i ka thënë Gazetës Express se nuk do të shkojnë në protestën e VV-së sepse siç u shpreh “Si bëhemi bisht askujt”.

Në zgjedhjet e fundit në LDK, Haziri kishte thënë se nuk po i hyn garës për ta marrë kreun e partisë pasi nuk po dëshiron ta rrëzojë Kryeministrin Mustafa nga pozita partiake.

Ndërsa, tash ka shfaqur ambicien për t’u bërë Shef i LDK’së por paraprakisht ka kërkuar një marrëveshje politike. Ka kërkuar unitet në parti për të mos pasur çarje pastaj. Ka shfaqur gatishmëri t’i bashkojë të gjitha grupet që aktualisht janë në parti, edhe t’i merr afër vetes themeluesit e partisë.

Vjosa Osmani, kohëve të fundit, ka refuzuar të flasë konkretisht se kur do t’i hyjë garës për Kryetare të Partisë. Në garën e fundit në LDK s’ishte lejuar as të kanidonte meqë nuk kishte kaluar garën në Këshill të Përgjithshëm të LDK’së.

Pavarësisht problemeve shëndetësore, Isa Mustafa, ende s’e ka thënë përfundimisht se nuk do të kandidojë për Kryetar partia. Kur ishte bërë Shef i LDK’së herën e parë, kandidaturën s’e kishte publikuar deri në ditën kur ishte mbajtur Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së.

Krejt jashtë garës për Kryetar të LDK’së po vazhdon të mbetet Avdullah Hoti, Shef aktual i deputetëve të LDK’së.

Hoti, i cili dështoi të dalë fitues në zgjedhjet e fundit nacionale si kandidat për Kryeministër, s’ka shfaqur publikisht ambicie për të udhëhequr LDK’në. S’ka pasur përkrahje as prej zyrtarëve tjerë të partisë përfshirë Isa Mustafën.

Kujtim Shala, aktualisht, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka vendosur të tërhiqet nga gara për Shef partiak.

Edhe Imri Ahmeti ka thënë se nuk do t’i hyjë garës vetëm nëse një gjë e tillë i kërkohet.

Dy nënkryetarët tjerë të LDK’së, Agim Veliu e Haki Rugova, s’kanë shfaqur ambicie për Kryetar partie. Por, as nuk kanë treguar se kënd do ta përkrahin në garën për Kryetar të LDK’së.

Ndryshe, Isa Mustafa, kishte marrë LDK’në në fundin e vitit 2010, kur kishte mundur Fatmir Sejdiun. Prej atëherë, Mustafa ka shënuar tri humbje të zgjedhjeve nacionale, ka humbur Komunën e Prishtinës, por ka rikthyer disa komuna që me herët e kishte humbur LDK’ja përfshirë Pejën, Gjilanin e Lipjanin. Isa Mustafa ishte rizgjedhur Kryetar i LDK’së në mandatin e kaluar me aklamacion pasi nuk e kishin lejuar të kishte kundërkandidat. Vjosa Osmani kishte dështuar të mblidhte nënshkrimet për ta sfiduar Mustafën.

Vitin e kaluar, Shefi i LDK’së kishte pasur probleme shëndetësore derisa ishte trajtuar Gjermani. Gjatë gjithë kohës, LDK ishte udhëhequr prej Nënkryetarëve të Partisë. Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave.