Kreu i OBSH-së: Na besoni. Më e keqja është akoma para nesh

E publikuar: 21/04/2020 14:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se më e keqja është akoma para nesh, raporton AP.

“Na besoni. Më e keqja është akoma para nesh. Ta parandalojmë këtë tragjedi. Është një virus që të tjerët ende nuk po mund ta kuptojnë”, ka paralajmëruar i pari i OBSH-së në kohën kur shumë vende në mbarë botën janë duke zbutur masat kufizuese, që ishin vënë për t’u luftuar përhapja e mëtejme e pandemisë së COVID-19, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, ai nuk shpjegoi se pse mendon se pandemia nga e cila sipas Worldometers, kanë humbur jetën më shumë se 170 mijë njerëz dhe mbi 2.4 milionë tjerë janë infektuar, mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Tedros e ka krahasuar pandeminë e coronavirusit me të ashtuquajturin “gripin spanjoll” që kishte shpërthyer pas Luftës së Parë Botërore.

“Ka një kombinim të rrezikshëm dhe sërish po ndodh pas 100 viteve, sikurse gripi i vitit 1918 që mbyti 100 milionë njerëz në botë. Por, tani kemi teknologjinë, mund të parandalojmë këtë katastrofë, mund të parandalojmë një krizë të tillë”, ka shtuar kreu i OBSH para gazetarëve në Gjenevë. /Telegrafi/