Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti, kaloi, por dekoratat, që, zakonisht, kurdo e kudo, jepen brenda një dite, vazhdojnë të jepen!

28.02.2018 19:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti, kaloi, por dekoratat, që, zakonisht, kurdo e kudo, jepen brenda një dite, vazhdojnë të jepen!

Nga Rexhep Qosja

Dekoratat, që në Fjalorin e Shqipes së Sotme quhen edhe medalje, janë mjete, prej lëndëve më të shtrenjta a më të lira, me të cilat shtetet dhe regjimet i nderojnë njerëzit në raste të ndryshme: në raste të përvjetorëve të ngjarjeve të rëndësishme historike dhe në raste të përvjetorëve të personaliteteve të rëndësishme të përtashme a historike.

Dekorata japin shtetet demokratike, shtetet tiranike, shtetet despotike dhe shtetet diktatoriale, domethënë të gjitha llojet e shteteve.

Dihet se më së shumti dhe më së shpeshti dekorata ndajnë e shpërndajnë shtetet diktatoriale, tiranike e despotike.

Shumë dekorata ndodh të japin edhe regjimet e vendeve demokratike në të vërtetë të vendeve pseudodemokratike. Dhe regjimet e këtilla japin shumë dekorata kur e kuptojnë se sa të paçmuara, se sa të mosduruara janë bërë për qytetarët. Ndoshta edhe për këtë arsye u dha edhe kuintali i dekoratave nga regjimi i sotëm i Kosovës! Dhe jo vetëm.

Njëri prej filozofëve më të rëndësishëm të politikës në kohën e Rilindjes italiane, Nikolo Makiaveli, thoshte se dekoratat janë mjete me të cilat pushteti me çmim të ulët fiton shumë ithtarë.

Siç kemi parë e mësuar dikur dhe siç po shohim e po mësojmë sidomos sot dekoratat u jepen njerëzve të ndryshëm për arsye të ndryshme. Disave dekoratat u jepen vërtet për t’i nderuar. Disave u jepen për t’i bërë që të heshtin, domethënë që të mos flasin keq për pushtetarët dhe për pushtetin! Disave u jepen për t’i nxitur të shkruajnë mirë, sa më mirë, për drejtësinë e qenë a të paqenë të shtetit dhënës, për humanizmin e tij, të qenë a të paqenë, për ekonominë e tij, të zhvilluar a të shkatërruar, për gjyqësorin e tij, të pavarur a të kapur!

Disave dekoratat, ndërkaq, u jepen për të shkruar mirë, sa më mirë, sa më zmadhueshëm, sa më glorifikueshëm për vetë pushtetarët, në mënyrë të veçantë për ata pushtetarë me duart e të cilëve u jepen dekoratat!

Kjo, arsyeja sigurisht jo e fundit për të cilën jepen dekoratat, është më e shpeshtë në vendet tiranike, despotike dhe diktatoriale, por kur e kur edhe në vendet demokratike, në të vërtetë pseudodemokratike.

Shtetet demokratike, ndërkaq, nuk i dekorojnë, nuk i “zbukurojnë” nënshtetasit e vet për çka krejt i dekorojnë, i “zbukurojnë” ato shtetet e tjera.

Shtetet vërtet demokratike, zakonisht, nuk janë shtete që kërkojnë shumë, që kërkojnë çka kërkojnë haptazi e fshehurazi prej të dekoruarve vendet jodemokratike. E kuptueshme: shtetet demokratike nuk japin dekorata për të blerë përkrahës, lavdëruese, servilë, por për të nderuar të dekoruarit, dhe veten.

Për arsye se janë demokratike, shtetet vërtet demokratike nuk u japin dekorata medieve pavarësisht sa të merituara mund të jenë ato në pikëpamje profesionale, kombëtare, kulturore, në përgjithësi shoqërore.

Në Kosovë këto ditë e mësuam të kundërtën: me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dekorata më së shumti iu dhanë pikërisht medieve dhe gazetarëve – të gjallë dhe të vdekur. Dikush mund të thotë: po prej gazetarëve që nuk janë më të gjallë nuk mund të sigurohet kurrfarë përkushtimi dhe kurrfarë adhurimi ndaj pushtetit a dhënësve të dekoratave. E vërteta, megjithatë, është tjetër: duke iu dhënë dekorata të vdekurve, herët më të shpeshta sigurohet përkushtimi i të gjallëve, në radhë të parë i njerëzve të të njëjtit profesion.

Regjimi ynë ka dëshmuar jo një herë se përkushtimin, shërbimin, servilizmin e medieve posaçërisht të disa medieve, e blen edhe me mjete të tjera: edhe me tenderë, edhe me sponsorime, edhe me dhënie të ndryshme, të mbuluara me emra të ndryshëm, por kur e ku edhe me frikësime, me kërcënime, me shantazhe e me mjete të tjera të mendjeve despotike dhe sulltanore!

Nuk ka dyshim se me dekoratat dhe me këto mjetet e sipërtreguara regjimi ynë po blen edhe dy përkushtime që mund të quhen kundërdemokratike dhe kundërkulturore: po blen, në njërën anë censurën, kurse në anën tjetër lavdërimet dhe glorifikimet e regjimit dhe të disa pushtetarëve. Shembull i përkushtimit të këtillë herë servilizues e herë zmadhues, glorifikues janë në radhë të parë, sado jo vetëm ato, RTK-ja dhe Klan Kosova, që me censurën ndaj studiuesve e krijuesve, në përgjithësi ndaj intelektualëve kritikë, posaçërisht ndaj disave prej tyre, në njërën anë, kurse me tejlavdërimet, me glorifikimet e me krijimin e kultit të individit të ndonjërit prej pushtetarëve, të krijimit të veçanësisë në parëndësi, në anën tjetër, po na kthejnë në kohë të errëta të regjimeve të cilat shuajnë sundimin e ligjit, drejtësinë, të vërtetën, mendimin dhe fjalën e lirë! E të tjera.

Dhe, kështu në disa vende e në disa kohë dekoratat vërtet luajnë rolin famëkeq që e luanin edhe në kohën e Makiavelit gjenial: bëhen frymëzuese dhe privilegjuese të shpirtrave të shitur që vihen në shërbim të despotëve

Në vazhdim të këtij shkrimi po bëj një pyetje: çka tregoi dhënia e kësajhershme e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë, që vazhdojnë të jepen kush e di dhe sa ditë e javë në Kosovë?

Tregoi shumëçka

Tregoi çka dihej dhe tregoi çka nuk dihej, tregoi çka pritej e tregoi çka nuk pritej!

Dhënia, kujtdhënia, kujtmosdhënia dhe, sidomos, pasdhënia e dekoratave kësaj herë në Ditën e madhe të Pavarësisë dhe për Ditën e madhe të Pavarësisë në radhë të parë tregoi si kuptohet, si shfrytëzohet dhe si shpërdorohet politika në Kosovë sot!

Dhe, tregoi çfarë idesh, çfarë ndjenjash, çfarë durimesh e çfarë mosdurimesh e përcaktojnë dhe e ndryshojnë këtë politikë të regjimit tonë.

Dhe, tregoi se si disa nga pushtetarët, dikur çlirimtarë e sot autokratë, nuk ngurrojnë të bëjnë betejë politike kundër ish mësuesve të vet, sot kritik të autoritarizmit të tyre e dje ndërtues të politikës së çlirimit të Kosovës prej okupacionit serb e jugosllav kur ata vetë ende bartnin stafetën e Titos, duke përdorur në këtë betejë edhe ish rrogëtarë e agjentë të regjimit të Millosheviqit tani autoritete në shtet a në propagandë regjimore!

Pas nënshkrimit pa konsultuar Kuvend dhe pa konsultuar ekspertë, domethënë pas nënshkrimit “baba Kros vetë shkruan e vetë vulos” të Marrëveshjes për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe pas krijimit duke ndërruar Kushtetutën të Gjykatës së Veçantë, që sollën shumë çrregullime politike të shprehura si krizë institucionale, edhe dhënia, mosdhënia dhe pasdhënia e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë me solemnitetet përcjellëse tregoi se sa diletante, se sa e privatizuar, se sa e pa rend e rregull mund të jetë politika jonë shtetërore!

Si sqarimet, përshtjellimet dhe komisionet për vijën kufitare me Malin e Zi, si ofensiva e pushtetarëve kryesorë për krijimin e mandej “ofensiva” duarfshehur e të njëjtëve për shfuqizimin e Gjykatës së Veçantë, po ashtu edhe dhënia, pasdhënia, në të vërtetë “sqarimi” katër ditë pas shpalljes së Listës me emrat e kandidatëve për dekorim, së cilëve s’u jepet dekorata e që u fshi shpejt prej faqes së internetit të presidencës së Kosovës, treguan se dhe gënjeshtrat e mashtrimet janë bërë metodë e politikës sonë shtetërore, që vjen gjithnjë e më dukshëm duke e komprometuar këtë politikë në sytë e ndërkombëtarëve dhe në sytë e qartshikuesve tanë.

Këtyre të këqijave që shfytyrojnë politikën tonë shtetërore sidomos në sytë e ndërkombëtarëve t’ua shtojmë edhe një të keqe formale e në të vërtetë shumë treguese: mungesën elementare të kulturës së protokollit qoftë edhe në solemnitete shtetërore! Po të mos vuanim prej kësaj çorodie politike nuk do të ndodhte që me rastin e parakalimit të Trupave të Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë, në mjedisin e Tribunës të krijuar me atë rast, të radhiten vetëm pushtetarët e sotëm e të djeshëm të Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, kurse të vetmit mysafirë evropianë, miqtë e shumëmerituar për institucionalizimin e Kosovës menjëherë pas luftës, Bernar Kushneri dhe Dan Evertsi, të “braktiseshin” në skajet e kësaj tribune ku nuk i kapnin as kamerat televizive! Atyre madje nuk iu dha as mundësia për një fjalë rasti a fjalë përshëndetjeje.

Dhe, më tej, në sallën ku shfaqej Koncerti kushtuar 10 vjetorit të Pavarësisë, në hotelin “Emerald”, nuk do të ndodhte që mysafiri më i çmuar në këtë manifestim, kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë menjëherë pas Luftës, Bernar Kushner, të lihej në rreshtin e tretë, pas shpinës së kryetarëve, kryeministrave, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave, deputetëve e të tjerëve, të kurdisur në dy rreshtat e parë të kësaj salle!

Dhe, kështu e treguam në të vërtetë e komprometuam kulturën tonë protokollare dhe kështu e cenuam bujarinë, mikpritjen tonë dikur të lavdishme kombëtare.

E të tjera! E të tjera! Të ngjashme e të pangjashme!

Rexhep QOSJA

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
Konkurs për gazetarë dhe praktikantë
artikull i sponzorizuar


Fillimisht i kidnapuan, tash Turqia i kërkon me mirësjellje gylenistët

Fillimisht i kidnapuan, tash Turqia i kërkon me mirësjellje gylenistët

Cacaj demanton Tërnavën dhe Bojën: Rugovës nuk iu la xhenazja, ai u varros i veshur me rroba

Cacaj demanton Tërnavën dhe Bojën: Rugovës nuk iu la xhenazja, ai u varros i veshur me rroba

Tahiri thotë se Kosova po përballet me mungesë të efikasitetit në gjyqësor

Tahiri thotë se Kosova po përballet me mungesë të efikasitetit në gjyqësor

Vendet që do të mbesin pa rrymë

Vendet që do të mbesin pa rrymë

Haradinaj: Italia partner strategjik në fushën e bashkëpunimit ekonomik

Haradinaj: Italia partner strategjik në fushën e bashkëpunimit ekonomik

Reçica: Zëri i Vasfijes theu heshtjen që na përcolli për shumë vite

Reçica: Zëri i Vasfijes theu heshtjen që na përcolli për shumë vite

Thaçi pranon ftesë nga shoqëria civile për të vizituar Luginën e Preshevës

Thaçi pranon ftesë nga shoqëria civile për të vizituar Luginën e Preshevës

Rashiq: S’kam parë asnjë serb që do të pajtohej me ushtrinë e Kosovës

Rashiq: S’kam parë asnjë serb që do të pajtohej me ushtrinë e Kosovës

Amerika mbështet ushtrinë e Kosovës në mes të Beogradit

Amerika mbështet ushtrinë e Kosovës në mes të Beogradit

Diplomoi në Akademinë e Mbrojtjes në Shkup edhe një oficer i FSK-së nga radhët e komuniteteve

Diplomoi në Akademinë e Mbrojtjes në Shkup edhe një oficer i FSK-së nga radhët e komuniteteve

Numrat e shqiptarëve në Gjermani: 130 mijë nga Kosova e 50 mijë nga Shqipëria

Numrat e shqiptarëve në Gjermani: 130 mijë nga Kosova e 50 mijë nga Shqipëria

Haradinaj: Fokusi ynë, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në INTERPOL

Haradinaj: Fokusi ynë, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në INTERPOL

Rritet konkurrueshmëria dhe siguria në Aeroportin e Prishtinës

Rritet konkurrueshmëria dhe siguria në Aeroportin e Prishtinës

Deda: Të gjithë në Kosovë janë kundër idesë fashiste të prekjes së kufijve, përveç Hashim Thaçit

Deda: Të gjithë në Kosovë janë kundër idesë fashiste të prekjes së kufijve, përveç Hashim Thaçit

Kosova krijon ushtrinë, Lista Serbe do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese

Kosova krijon ushtrinë, Lista Serbe do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese

“Emblema e Vushtrrisë” për Vasfije Krasniqi Goodman

“Emblema e Vushtrrisë” për Vasfije Krasniqi Goodman