Kremlini: Krimea nuk është temë e bisedimeve Trump-Putin

E publikuar: 02/07/2018 21:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kremlini tha të hënën, se gadishulli i Krimesë, që Rusia e aneksoi me forcë nga Ukraina në vitin 2014, është pjesë e pandashme e Rusisë dhe nuk është në rendin e ditës në takimin e presidentit Putin me presidentin Trump, që do të zhvillohet këtë muaj në Helsinki.

Presidenti Putin është i hapur për kompromise me presidentin Trump për gjithë çështjet e tjera, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit Dimtri Peskov në një konferencë shtypi.

Të shtunën presidenti Trump, nuk e përjashtoi mundësinë për ta pranuar aneksimin e Krimesë. I pyetur nga gazetarët në se, ashtu siç ishte njoftuar, po e shqyrtonte si mundësi që të hiqte dorë nga kundërshtimi i Uashingtonit për aneksimin e Krimesë, presidenti Trump u përgjigj duke thënë “mbetet për t’u parë”.

Pranimi se Krimea nuk do t’i kthehet kurrë Ukrainës, do të përbënte një lëshim të madh për Rusinë, e cila është nën sanksione për shkak të marrjes së këtij territori me forcë.

Dje në një intervistë për rrjetin CBS, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, tha se qëndrimi i Uashingtonit nuk ka ndryshuar, megjithëse, i pyetur më tej mbi këtë çështje, shtoi se, presidenti është ai që i përcakton politikat. Më 11 korrik presidenti Trump takohet me udhëheqësit e NATO-s në Bruksel dhe më 16 korrik do të takohet me presidentin Putin në Helsinki.