Kremlini: Këshilltari amerikan, John Bolton planifikon vizitë në Moskë

E publikuar: 21/06/2018 14:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kremlini ka thënë se Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton planifikon të vizitojë Moskën, pa ofruar detaje për udhëtimin.
“Deri më tash e dimë vetëm se do të ndodhë takimi. Kjo është e gjitha që mund të themi tani”, ka thënë Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.

Më herët gjatë ditës, agjencia ruse e lajmeve, Interfax ka cituar disa burime në Uashington të kenë thënë se Bolton pritet të vizitojë Moskën javën e ardhshme, për t’u përgatitur rreth takimit të mundshëm në mes të Putinit dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump.

Në po të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia është e “gatshme për të kontaktuar” me Shtetet e Bashkuara.

“Nëse arrihet marrëveshje për zhvillimin e takimit të nivelit të lartë, do ta bëjmë të ditur”, ka thënë Lavrov.

Më 9 qershor, Peskov ka thënë se presidenti rus dhe ai amerikan kanë diskutuar detaje të takimit të tyre, në një bisedë telefonike në muajin mars, duke përmendur Vjenën si vend të mundshëm për takim.

Presidenti amerikan pati thënë në muajin mars se do të takohej me Putinin, mirëpo nga ajo kohë marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar për shkak të konfliktit në Siri dhe helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britani.