Kreditë e këqija bien në nivelin më të ulët nga viti 2010

E publikuar: 07/05/2017 17:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreditë e këqija u ulën sërish në prill, duke zbritur në nivelin më të ulët në 7 vite. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në prill, huatë me probleme në banka ranë në 17.1 për qind, që është shifra më e ulët nga viti 2010.

Sipas Bankës, vetëm gjatë muajit të kaluar kreditë e pakthyera u ulën me 0.6 pikë përqindjeje, ose mbi 20 milionë euro.

Tre vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka udhëhequr zbatimin e një plani kombëtar për uljen e kredive të pakthyera, të cilat në shtator të vitit 2014 arritën gati 25 për qind e totalit. Plani përmban një sërë masash ligjore, përfshirë detyrimin e bankave për të fshirë nga bilanci huatë, të cilat kanë më shumë se 3 vite që nuk shlyhen.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se, pikërisht ky është edhe shkaku kryesor për uljen e treguesit të kredive me probleme. Në dy vitet e shkuara, bankat private kanë fshirë mbi 300 milionë euro kredi të pakthyera, një tendencë e cila ka vazhduar edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.

Megjithatë, fshirja e kredive me probleme nuk nënkupton faljen e tyre. Bankat vazhdojnë përpjekjet për t’i mbledhur ato njësoj si më parë, por me ndryshimin që huatë e fshira nuk raportohen më në treguesin e kredive të këqija.

Paralelisht me fshirjet, gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka ndërmjetësuar edhe ristrukturimin e huave te pakthyera, veçanërisht te kreditorët më të mëdhenj problematik, duke shtyrë afatin e shlyerjes dhe ulur këstet e pagimit.