Krasniqi pret që krejt partitë ta mbështesin Pakon Emergjente të propozuar nga PDK-ja

E publikuar: 10/04/2020 14:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka njoftuar se çfarë është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë ku është vendosur që të martën të mbahet seanca e jashtëzakonshme kun ë rend dite do jetë Pakoja Emergjente prej 320 milionë eurosh e propozuar nga PDK-ja.

“Patëm diskutime të gjata lidhur me procedurat. Ne jemi në një situatë e cila nuk ka ndodhur më herët – kemi një qeveri të shkarkuar dhe një Kuvend me legjitimet të plotë. Janë çështje të procedurave për çka ndonjëherë ka edhe mendime të ndryshme. Ajo çka është e pandryshueshme është fakti që institucioni që ka legjitimitetin më të madh, është burim i vullnetit të qytetarëve dhe është i vetmi institucion që flet në emër të qytetarëve, por edhe për qytetarët është Kuvendi i Kosovës”.

Krasniqi ka thënë se pret që të gjitha partitë politike ta mbështesin këtë Pako Emergjente, derisa ka shtuar se janë të hapur që të diskutohen të gjitha masat e propozuara nga ta.

“Qëndrimi ynë si PDK ishte që ne nuk mund të humbim kohë dhe duhet që të martën në këtë seancë duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët, sepse jemi të hapur që t’i diskutojmë tutje masat tona të propozuara që besojmë se janë optimale për fazën e ardhshme, në mënyrë që të kemi një vendimmarrje të përbashkët”.

“Kemi propozuar një Draft-Rezolutë dhe kemi nisur dy nisma legjislative formalisht në Kuvend njëra ka të bëjë me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive sepse duhen ndryshuar disa nga rregullat fiskale që ndërlidhen me rezervën dhe borxhin publik, si dhe një ligj të veçantë për masat që duhet ndërmarrë në lidhje me pandeminë”.

Nënkryetari i Kuvendit ka thënë se në këtë fazë kur qeveria është rrëzuar dhe është në detyrë, Kuvendi duhet ta luajë rolin si institucioni më i lartë në vend.

“Jemi në fazën e parë dhe nuk mund të themi me siguri se si do të zhvillohet seanca të martën, por pasi tash Qeveria nuk ka kapacitet veprues në kuptimin legjislativ dhe në kuptimin kushtetues legal nuk mund të marrë hapa legjislativë për të kërkuar nga Kuvendi marrjen e vendimeve, ne besojmë që Kuvendi në mungesën e këtij kapaciteti veprues të Qeverisë duhet të luajë rolin që e ka si institucioni më i lartë në vend që të ndërmarrë masa të cilat janë të nevojshme për ndihmë ekonomike në radhë të parë sektorit privat, atyre që janë në linjën e parë të luftimit të pandemisë dhe kështu me radhë”.

“Po ashtu ne morëm një vendim duke autorizuar Komisionin për Legjislacion se cilat janë masat që duhet ndërmarrë Kuvendi karshi aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që në mënyrë konkrete e ka vërtetuar, edhe pretendimin e PDK-së, që kryeministri dhe qeveria kanë shkelë Kushtetutën me vendimet e tyre duke cenuar dhe limituar në mënyrë të paligjshme të drejtat dhe liritë e qytetarëve”.