Krasniqi: Një koalicion LDK-VV me Isa Mustafën në krye, nuk e lufton korrupsionin

E publikuar: 28/08/2019 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se nuk është fare i preokupuar nëse do të ndodhë një koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së.

Por, ai ka komentuar në dy drejtime vrapimin e këtyre dy partive për t’u bashkuar mese vete, transmeton Lajmi.net.

Krasniqi thotë për Periskopin se është frika e tyre për të shkuar të vetme në zgjedhje, pasi e dinë se PDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve. Krasniqi thekson se mbështetja për PDK-në po rritet çdo ditë dhe se është i vetmi subjekt që do ta luftojë korrupsionin dhe do të sjellë ndryshime në vend.

Nënkryetari i PDK-së ka thënë po ashtu se edhe nëse ndodhë një koalicion i tillë, me Isa Mustafën aty, nuk do të ketë luftë kundër korrupsionit.

“Unë nuk e di dhe nuk e kam preokupim nëse ata do të formojnë një koalicion parazgjedhor apo jo. Por, unë di dy gjëra; së pari që asnjë luftë kundër korrupsionit nuk do të dalë nga ky koalicion, pjesë e të cilit është edhe Isa Mustafa, dhe e dyta është se ata kanë frikë të dalin vetëm në zgjedhje sepse ata e dinë që PDK po forcohet dhe po fiton besimin tek njerëzit se ne do ta luftojmë korrupsionin dhe do të bëjmë ndryshime në këtë vend. Ata kanë frikë”, ka thënë Krasniqi.

LDK dhe VV po përpiqen tash e disa ditë që të ndërtojnë një koalicion parazgjedhor, por pozitat e larta nuk po i lënë ata të merren vesh mes vete.

Dy subjektet po luftojnë për postin e kryeministrit.

Vjosa Osmani tashmë është zyrtarizuar si kandidate për kryeministre nga LDK-ja, ndërkaq VV ka kandidat kryetarin e saj, Albin Kurti.

Data 30 gusht është dita e fundit që ata të kenë një marrëveshje eventuale, pasi në këtë datë është edhe afati i fundit për konfirmim të koalicioneve parazgjedhore.