Krasniqi demanton LDK-në për votat e Demarkacionit

E publikuar: 26/04/2017 18:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Nënkryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës Memli Krasniqi thotë se subjekti i tij e ka bërë të qartë qëndrimin për çështjen e Demarkacionit. Madje thotë se procedimi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet të ndodh sa më shpejtë në mënyrë që vendi të mos mbetet peng.
Këto deklarata të nënkryetarit të PDK’së vijnë pasi zyrtarë nga radhët e LDK’së thanë se subjekti i tyre unanimisht  ka përkrahur që ta votojë Demarkacionin duke ia hedhur topin PDK’së për procedim të tij në Kuvend.

Krasniqi duke folur për këtë çështje, tha të mërkurën për Express se Këshilli Drejtues i PDK’së ka disa muaj që i ka dhënë mbështetje për procedim dhe votim në Kuvend të Demarkacionit, duke e hedhur poshtë deklaratën e Hotit se po e presin vetëm PDK’në për ta nxjerr në votim kufirin me Malin e Zi.

“Ka se paku 7-8 muaj qe PDK e ka bërë të qartë qëndrimin e vet zyrtar për këtë çështje, përmes vendimit të Këshillit Drejtues, i cili i ka dhënë mbështetje procedimit dhe votimit në Kuvendin e Kosovës të Projekt Ligjit për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Këtë qëndrim e ka ripërsëritur disa herë edhe Kryetari Veseli”, tha Krasniqi.

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se po e presin vetëm edhe vendimin e PDK’së që ata e përkrahin demarkacionin, për ta proceduar pastaj për votim në Parlament.

“Si LDK ne veç e kemi marrë vendimin në Këshillin e Përgjithshëm të Partisë para që e mbështesim ratifikimin e demarkacionit. Ne po presim nga partneri tjetër i koalicionit, PDK, që të lëvizë në të njëjtin drejtim dhe në ditët e ardhshme dhe javët e ardhshme të lëvizim në Kuvend. Sepse i kemi shtjerrë të gjitha mundësitë”, ishte shprehur Hoti, për Zërin e Amerikës.

Megjithatë, Krasniqi kërkon që sa më shpejtë të dërgohet në Kuvend Demarkacioni sepse siç tha ai për Express, vendi nuk duhet që edhe më tutje të mbetet peng i kësaj teme.

“Ne presim procedim sa me te shpejte ne Kuvend, ashtu qe te merret  je vendim për këtë çështje dhe të lëvizim përpara, sepse nuk mund te mbetemi edhe me tutje peng i kësaj teme”, theksoi ai.

Kujtojmë se një pjesë e deputetëve të LDK’së, por edhe të PDK’së, kanë dalë në krahun e Opozitës dhe po e kundërshtojnë shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.