KQZ: Shqetësim, pengesat ndaj komisionerëve

E publikuar: 10/06/2017 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka ngritur shqetësimin për pengesat, sipas këtij institucioni, që po i shkaktohen komisionerëve zgjedhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune.

“Ashtu si në Kodin Zgjedhor, edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 1 qershor 2017, angazhimi si komisioner i KZAZ-ve, KQV-ve apo grupeve të numërimit, nuk e konsideron angazhim për qëllime politike apo elektorale, por e konsideron vetëm si një angazhim administrativ. Pranë KQZ-së kanë ardhur shqetësime lidhur me vonesat për dhëniet e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së, të cilët kanë depozituar kërkesa pranë burimeve njerëzore të institucioneve ku ata punojnë dhe nuk po marrin përgjigje”, tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha.

“Vonesa e këtyre përgjigjeve apo mosdhënia e lejeve për të ushtruar funksionin e komisionerit zgjedhor, po pengon administrimin e procesit zgjedhor, pasi komisionerët nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të ngarkuara nga Kodi Zgjedhor. Mosrespektimi i qoftë edhe i një afati ligjor, ndikon negativisht në të gjithë veprimtarinë e administratës zgjedhore në funksion të organizimit dhe të administrimit të zgjedhjeve. Pa komisionerë nuk mund të ketë zgjedhje, ndaj drejtuesit e administratës shtetërore duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të mos bëhen pengesë”, shtoi zëdhënësja, raporton TCH, transmeton Klan Kosova.