KQZ pezullon partinë e Gjergj Dedajt

E publikuar: 09/02/2016 09:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i KQZ-së për pezullimin e disa partive politike ka prekur edhe anëtaren e Partive Liberale të Evropës me seli në Bruksel (ELDER).

Gjergj Dedaj e ka promovuar shumë anëtarësimin në këtë familje evropiane por shteti i Kosovës po i nxjerr probleme në veprimtarinë e partisë së tij.
Partia Liberale e Kosovës, e udhëhequr nga Dedaj, ka statusin ‘parti e pezulluar’.
KQZ-ja obligon partitë politike që të dorëzojnë përvitshëm formularin për të dhënat e ndryshuara. Afati i fundit i dorëzimit të ndryshimeve ishte 31 janari i këtij viti.
Partia e Dedajt nuk e ka bërë këtë.

Fat të ngjashëm me partinë e Dedajt ka pasur edhe Lëvizja Islame Bashkohu e Fuad Ramiqit, Partia e të Gjelbërve të Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar, Lëvizja e Re Demokristiane, Demokracia Sociale e Kosovës, Partia e Ballit dhe Republikanët e Kosovës.

Ndërsa nga partitë minoritare janë pezulluar Nova Partija Kosova, Socijaldemoratija, Arodna Crnogorska Partija, Srpska Narodna Partija Kosova dhe Jedinstvena Goranska Partija.
KQZ ka njoftuar se partitë e pezulluara kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij vendimi.

“Në bazë të Rregullës mbi Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike, partitë politike të pezulluara (sipas listës së mësipërme) kanë të drejtë që brenda 24 orëve të ushtrojnë ankesë kundër Vendimit të KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Po ashtu, këto parti politike kanë afat të shtuar prej 20 ditësh për të dorëzuar të dhënat e ndryshuara vjetore”, thuhet në njoftimin e KQZ-së./Insajderi.com/.