KQZ për rastin Korenica: Na duhet vendim i Gjykatës për largim nga gara zgjedhore

E publikuar: 20/09/2017 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Betim Gjoshi, anëtari i KQZ’së nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se këtij institucioni i duhet një vendim i Gjykatës për ta larguar nga lista kandidatin e VV’së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Visar Korenica, i cili bëri thirrje për zhdukjen e shtetit të Izraelit.

Rasti i Korenicës ka nxitur reagime të shumta përfshirë edhe Presidentin, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se deklarata e kandidatit të VV’së është e papranueshme.

Kreu i KQZ’së Valdete Daka nuk u është përgjigjur thirrjeve të Gazetës, ndërkohë që Gjoshi i pyetur rreth këtij rasti ka thënë se këtij institucioni i duhet vendim i gjykatës, në mënyrë që të mund të marrë vendim për decertifikim.

“Neve na duhet një vendim i gjykatës për ta hequr nga lista. Është çështje e subjektit politik, ata vendosin për kandidatët e tillë a pajtohen a nuk pajtohen me qëndrimet e tilla”, ka thënë anëtari i KQZ’së për Express.

Gjoshi tha se deklarata e Visar Korenicës është e papranueshme, duke shtuar se qytetarët e Kosovës i gjykojnë veprimet e tij.

“Unë jam i papajtueshëm më çdo deklaratë që nxitë urrejtje. Unë e dënoj çdo thirrje për dhunë në të gjithë botën, jo veç kur ndodhë në Kosovë. Mendoj që qytetarët e Rahovecit e të Kosovës e gjykojnë për veprimet e tij.”, tha Gjoshi për Gazetën Express.

Ai tha se Izraeli e ka mbështetur Kosovën në situatat më të vështira, andaj deklaratat e tilla janë të papranueshme.

Gjoshi shpjegoi se nuk ka ndonjë Nen që e kufizon përshtatshmërinë e kandidatit në raste të tilla, mirëpo tha se po të ndodhte një deklaratë e tillë gjatë ditëve të fushatës zgjedhore, ai do të mund të paditej në PZAP dhe të gjobitej, “përndryshe për qëndrimet e tyre politike, nuk ka ndonjë masë”.

Vetëvendosje ndërkaq nuk ka dhënë shenja se do ta tërheq këtë kandidat edhe pse kreu i VV’së Visar Imeri ka thënë se deklaratat e tij janë të papranueshme.

Ndërkaq, reagimet institucionale kanë ardhur pas reagimit të Ambasadës së Izraelit në Beograd, e cila ka deklaruar për Express që rastet e tilla duhet të dënohen./GazetaExpress/